Ish kryeprokurorja Ina Rama, anëtare e KPA, ka nisur të shqetësohet, duke u angazhuar për të censuruar raportimet mediatike rreth rolit të saj të dyshimtë në emërimin e paligjshëm të Ols Dados prokuror në vitin 2008. Të gjitha ndërhyrjet e paligjshme dhe të papërshtatshme janë të faktuara. Opinioni publik dhe faktori ndërkombëtar presin një shpjegim nga zonja Rama se mbi ç’baza ligjore i propozoi Bamir Topit në vitin 2008 emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec, në kushtet kur Dado nuk plotësonte kriteret e parashikuara në nenet 17 dhe 18 të ligjit të kohës për prokurorinë! Kush e nxiti apo detyroi të kapërcente ligjin, duke i varur sot një gurë të rëndë në qafë drejtësisë së re?
Së pari, duhet një sqarim edhe për shkak të pozicionit që sot ka Ina Rama si anëtare e shkallës së dytë dhe të fundit të Vetingut, por edhe për shkak se Ols Dado, nga noter, është katapultuar në SPAK dhe sillet si në sallat e gjyqit si Xhi-Bani në BBV’4. Heshtja, shmangia dhe ndërhyrjet e papërshtatshme nuk janë zgjidhje. Ky moment, pra emërimi i paligjshëm i Ols Dados, nuk mund të tejkalohet pa transparencë. Nuk është hall që mund të zgjidhet me pazare apo direktiva te ‘Dinastia’.
Së dyti, ditët e fundit, SPAK ka mbyllur me urgjjencë, me mosfillim, një kallëzim penal kundër Ina Ramës, depozituar nga Partia Demokratike. Ndoshta faktet e pretenduara në kallëzim mund të mos qëndrojnë. Por është i dyshimtë fakti që kallëzimi ndaj Ina Ramës mbyllet pa kryer asnjë veprim hetimor, ndërsa për një letër anonime të Nesti Angonit, kryhen hetime deri tek fustanet e grave, lloji i çorapeve dhe deri te lodrat e fëmijëve.
A ka gisht Ols Dado në shpejtësinë e SPAK-ut për të mbyllur me mosfillim kallëzimin ndaj Ina Ramës, duke i kthyer reston për favorin e paligjshëm të 2008, kur Ina Rama e propozoi Dadon për prokuror, pa plotësuar kriteret? Pse Ols Dado dhe Ina Rama kanë futur kokën në rërë për këto dy momente, në kushtet kur politikanët në SPAK dhe magjistratët në KPA hetohen deri te stërgjyshi, deri tek pagesa e taksave para 30 vitesh, udhëtimet dhe kostoja e ushqimit mujor?
Së treti, zonja Ina Rama, si prokurore, ka pasur në dorë shumë dosje. Madje, zonja Rama, për të bërë me dije rezultatin e hetimeve për 21 Janarin, në vitin 2012 doli me në krah ish ambasadorin amerikan, një tregues ky ‘guximit’ dhe ‘mosndikimit’ nga politika. A ka pasur në dorë Ina Rama ndonjë dosje të rëndë të shetasit Ardi Nelaj, bashkëshorti i Alketa Vejsiut, si ka proceduar dhe a ka përfituar ndonjë pasuri të paluajtshme më pas nga ky biznesmen, të cilit i është arrestuar edhe kunati për trafik droge?
Emërimi i paligjshëm i Ols Dados prokuror
Ols Dado u diplomua si jurist në vitin 1995 me rezultate të dobëta. Notën më të lartë e ka në fiskulturë. Gjithsesi, ndryshe nga Gjin Gjoni që ka marrë gradën doktor pas arsim të lartë, Ols Dado e ka kryer arsimin e lartë për juridik, edhe pse me mesatare të ulët.
Nga data 16.12.1995 deri në 15.2.1996 punoi pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. Nga data 16.2.1996 deri në 10.9.1996 punoi pranë “A.M.C” sh.a. Nga data 29.1.1997 deri në 8.11.2000 punoi pranë Bashkisë Durrës. Nga data 1.7.2003 deri në 29.9.2005 punoi në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. Në vitin 2008 bëhet noter pa konkurrim, duke hapur NIPT-in K52025501V, pasi e trashëgon licencën nga babai i tij, noteri Milto Dado, deri në vitin 2008.
Në 4 nëntor 2008, zonja Ina Rama, në atë kohë në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, i propozon Bamir Topit, asokohe President, emërimin e Ols Dados prokuror në Progradec. Propozimin e saj, zonja Rama e mbështet në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe në nenin 8, pika 2, germa ‘b’ të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë (i pa ndryshuar deri ditën e firmosjes së këtij propozimi). Mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, Presidenti Bamir Topi, në 17 nëntor 2008, miraton propozimin e Ina Ramës, duke dekretuar emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec.
Neni 17 i ligjit, përpos të tjerave, parashikonte që mund të emërohet prokuror shtetasi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Neni 18 parashikon që mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por që ka punuar jo më pak se tre vjet pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, Presidencë, qeveri, Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, deputet me arsim juridik dhe oficer i policisë gjyqësore.
Ols Dado nuk plotësonte as kriteret e parashikuar në nenin 17 dhe as në nenin 18 të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Dado kishte vetëm arsimin juridik dhe nuk kishte punuar 3 vite në një nga funksionet e parashikuara nga neni 18 i ligjit. Dado është emëruar në kundërshtim flagrant me ligjin në funksionin e prokurorit. Dado jo vetëm që nuk duhet të ishte prokuror i komanduar në SPAK, por nuk duhet të ishte dhe nuk duhet të jetë as prokuror në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Nëse Ols Dado nuk jep dorëheqjen, duhet që organet përkatëse të konstatojnë paligjshmërinë e mandatit si prokuror.
Sjelljet jo etike të Ols Dados në sallat e gjyqit, përdorimi i funksionit publik për të bërë pallate dhe fshehja e një kontrate për pallat në vitin 2016, janë një histori tjetër, për të cilën gjithsesi duhet të reagojnë institucionet përkatëse të drejtësisë.