Nga Jagoda Marinic “New York Times”
Në kohë lufte, çdo ditë ka rëndësinë e saj. Kur Vladimir Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Gjermania dukej se e kuptoi menjëherë se çfarë po ndodhte. Brenda disa ditësh, parlamenti gjerman ra dakord për vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë, dhe premtoi dërgimin e armëve në Ukrainë.
Kancelari Olaf Scholz foli për një “Zeitenwende”, një kthesë historike në politikën e jashtme gjermane, që bënte ndarjen e madhe midis periudhës para dhe pas sulmit të Rusisë në Ukrainë. Gjatë një fjalimi pasionant, Scholz tha se ishte e nevojshme t’i tregohej kufiri “luftënxitësve si Vladimir Putin”.
Tabuja e furnizimin me armë ndaj vendeve në luftë ishte zhdukur, dhe po kështu edhe kujdesi karakteristik i Gjermanisë në politikën e jashtme. Sa hap e mbyll sytë, u duk sikur ky vend kishte ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Por pas më shumë se 100 ditëve, gjërat duken ndryshe.
Lufta e Rusisë, edhe pse në përmasa më të reduktuara, mbetet vazhdimisht brutale: Po vazhdon goditja e spitaleve, përdhunimi i grave, dhe maskrat ndaj civilëve. Ndërkohë, armët e rënda të Gjermanisë, të premtuara muaj më parë, mbeten ende të pa dorëzuara.
Nga gazi dhe nafta ruse, ende jo të ndaluara plotësisht, po hiqet gradualisht dorë. Dhe përpjekjet e Berlinit për ta udhëhequr Bashkimin Evropian drejt një reagimi të përbashkët, ndonëse janë pjesërisht të suksesshme, e kanë pasur të vështirë të arrijnë konsensus për të goditur makinerinë ruse të luftës.
Premtimi për veprim i ka lënë vendin muajve të luhatjeve dhe vonesave. Pjesa më e madhe e përgjegjësisë i takon zoti Scholz. Në vend se ta udhëheqë me guxim vendin e tij në një fushatë morale dhe strategjike për të frenuar militarizmin vrastar të Putinit, kancelari, me gjithë deklaratat e tij të forta në fillim të luftës, ka zgjedhur të mos bëjë asgjë.
Pavendosmëria e tij është më shumë se sa një dështim thjesht politik. Ajo përbën një dobësim të rrezikshëm të vendosmërisë së atyre që kundërshtojnë luftën e Rusisë, duke hapur rrugën për më shumë brutalitet dhe dhunë. Sigurisht, Gjermania i ka ofruar Ukrainës njëfarë mbështetje.
Por ajo ka qenë shumë larg pritshmërive fillestare, dhe mosveprimi i Scholz është maskuar me një mori deklaratash konfuze. Shpjegimi i qeverisë për mos-dërgimin e armëve – përfshirë tanket, topat dhe sistemet kundërajrore – ishte se ato i duhen vetë Gjermanisë. Po ashtu u tha se tanket do të kërkonin shumë stërvitje për t’u përdorur nga ukrainasit.
Në vend se të sqarojë tamam ky qëndron problemi, Scholz ka zgjedhur të shqetësohet publikisht për rrezikun e një përshkallëzimin ushtarak që mund të çojë në një luftë bërthamore. Natyrisht, ky është një shqetësim i gjithë aleatëve të Ukrainës. Por vetëm Gjermania duket se është e paralizuar prej saj.
Megjithatë, arsyeja për hezitimin e qeverisë gjermane për t’i dhënë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet, është ndoshta më pak e lidhur me politikën e jashtme dhe më shumë me atë të brendshme. Partia Socialdemokrate e Scholz, që ndodhet në krye të koalicionit qeverisës, ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të afërta me Rusinë.
Me kalimin e javëve, u bë e qartë se kjo qasje ka qenë një gabim historik. Këtë e ilustron më së miri ish-kancelari dhe udhëheqësi i socialdemokratëve, Gerhard Schröder, që deri vonë ishte në listën e pagave të kompanisë ruse “Rosneft”. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Ligjvënësit më të moshuar socialdemokratë, të rritur në mesin e një lëvizje pacifiste që kërkonte një rrugë për të dalë nga armiqësitë e Luftës së Ftohtë, priren të kenë një pikëpamje miqësore ndaj Rusisë. Por edhe brezi i ri, që kundërshtoi mundësinë e anulimit të gazsjellësit “Nord Stream 2” dhe që në përgjithësi hezitoi të ndëshkonte Moskën, nuk është shumë më i qartë.
Është një fatkeqësi që në momentin kur Rusia po zhvillon luftë kundër Ukrainës, kancelari gjerman i përket partisë politike që ka marrëdhëniet më të ndërlikuara me Rusinë. Dy partitë e tjera në koalicion, Demokratët e Lirë dhe të Gjelbrit, nuk kanë probleme të tilla. Në rastin e Partisë së Gjelbër, kjo është veçanërisht e rëndësishme.
Të rritur si socialdemokratë në lëvizjen pacifiste kundër luftës, të Gjelbrit kanë mësuar, jo më pak përmes luftës shkatërruese në ish-Jugosllavi, se paqja nuk mund të arrihet gjithmonë me mjete paqësore. Qëndrimi i saj pa kompromis ndaj Rusisë, i miratuar nga shumica e votuesve të Gjelbër, është rezultat i një mençurie të fituar me vështirësi.
Kjo është ajo që duket se dëshiron edhe publiku. Udhëheqësit e partisë, Anna Baerbock dhe Robert Habeck, kanë qenë veçanërisht të zëshëm në favor të sanksioneve dhe pajisjes me armë të Ukrainës. Sipas një sondazhi të fundit, ata janë edhe politikanët më popullorë në vend.
Pavarësisht ankthit për konfliktin bërthamor dhe frikës për ecurinë e ekonomisë, shumë gjermanë duket se mbështesin një refuzim të qartë të veprimeve të Putinit. Edhe pse barra financiare e luftës ndikon në jetën e përditshme të njerëzve, gjermanët duket se duan një udhëheqje morale nga udhëheqësit e tyre, dhe janë të përgatitur të bëjnë sakrifica në emër të asaj që është e drejtë.
E megjithatë, i kufizuar nga partia dhe instinktet e tij, Scholz ka pak për t’u ofruar atyre. Por kjo mund t’i kushtojë. Në dy zgjedhjet e fundit lokale, socialdemokratët humbën jo pak vota. Përfituesi kryesor ishte Unioni Demokristian, CDU, tashmë opozita kryesore pas 16 vitesh në qeverisje, e cila kryeson në sondazhe.
Udhëheqësi i saj i ri, i etur për ta rritur avantazhin, vizitoi Kievin pak kohë më parë duke takuar presidentin Volodymyr Zelensky. Një veprim shumë i zgjuar, pasi e forcoi ndjenjën se Scholz – që do të shkojë për herë të parë në Kiev vetëm në fund të këtij muaji – nuk po bën mjaftueshëm.
Aleatët, përfshirë Zelensky-n, kanë filluar ta vënë në pikëpyetje angazhimin e Gjermanisë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe botës së lirë. Duke bërë kaq pak, Scholz po e lejon Putinin të ruajë iluzionin autokratik të fitimit të kësaj lufte. Politika e vonesës e qeverisë gjermane, është zgjedhur gjoja në emër të paqes. Por në praktikë, kjo ka çuar vetëm në më shumë luftë, dhe në më shumë shkatërrim në Ukrainë.
Por ka njëfarë shprese për ndryshim. Premtimi në fillim të këtij muaji për të dërguar në Ukrainë një sistem të mbrojtjes ajrore dhe radar gjurmues, edhe pse pa një datë të caktuar, ishte një hap në drejtimin e duhur. Por ai po zgjat shumë.
Çdo ditë, ushtria ruse po fiton terren në lindje të Ukrainës, dhe humbjet dhe lodhja po nisin të penalizojnë rëndë forcat ukrainase. Sa më gjatë të hezitojë Gjermania, vendi më i fuqishëm dhe më me ndikim në kontinentin evropian, aq më shumë shkatërrime mund të shkaktojë Putin në Ukrainë. Ndaj nuk ka më hapësirë për vonesa. /abcnews.al