Të pranosh hapur në një studio televizive, sikundër bëri Sali Berisha këtë të shtunë, se oligarkët rusë të Gazprom i kishin ofruar ryshfet deri në miliardë dollarë dhe që ai nuk pranoi, është një deklaratë e fortë që minimalisht duhet të hetohet nga organet ligjzbatuese në vendin tonë.
Mirëpo përpara se të shkojmë tek hetim, çdo kush pyet me të drejtë se përse Sali Berisha nuk e denoncoi në prokurori rastin dhe sekserin turk që fliste në emër të përfaqësues të Gazprom që ofronin 4 miliardë dollarë, që qeveria demokrate e drejtuar prej tij të mos pranonte ndërtimin e TAP.
Kjo do të thotë se jemi në kushtet e një moskallëzim krimi nga ana e Berishës dhe se ky i fundit siç gazeta e ka bërë me dije pak ditë më parë u tërhoq dhe refuzoi ofertën e Gazprom, vetëm për shkak se për këtë pazar kishin dijeni partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht FBI dhe CIA.
Pra, Berisha nëse nuk do t’i kishin bërë presion amerikanët, me gjasa do të pranonte ofertën e Gazprom dhe do të refuzonte TAP-in. Përrallat se Berisha i hoqi 4 miliard euro investim Shqipërisë janë të rëndomta. Berisha nuk tregon se sa ishte shuma që i’u ofrua atij nga sekseri si Nuel Kalaj me CEZ.
Miku turk sigurishtë që ka qenë një lojtar, që nëse do mbyllte pazarin me Berishën do gllabëronte miliona dhe këta miliona do ndaheshin, mirëpo Berisha ka tentuar, por nuk ka guxuar, apo shuma që i është ofruar si dhuratë nuk i është dukur e arsyeshme?!
Megjithatë faktet tregojnë krejt të kundërtën dhe duket qartë që Sali Berisha gënjen sa i takon çështjes “Gazprom-TAP”. Kjo pasi gazeta ka mësuar se ka qenë qeveria “Berisha” që i është lutur Gazpromit që të vijë në Shqipëri, por ky i fundit e ka refuzuar.
Në një kronikë televizive të vitit 2006, bëhet publike se si ish-ministri i Jashtëm të qeverisë Berisha, Besnik Mustafaj gjatë një vizite në Moskë, ka përcjellë interesin e qeverisë shqiptare që Gazprom të vij në Shqipëri.
Madje vetë zoti Mustafaj shprehet në videon në fjalë se prej dy vitesh qeveria Berisha lutej, por sipas tij, Gazprom nuk ka shfaqur interes.
Ndaj shton ai, ishte e nevojshme kjo vizitë. Këtë video e ka ndarë edhe vet ish-ministri Mustafaj në rrjetet e tij sociale, duke treguara edhe njëherë se Sali Berisha ka qenë në kontakte me rusët dhe se nuk e ka refuzuar ky ofertën marramendëse të tyre.