Janë disa dosje krimi dhe abuzimi me paratë e qytetarëve shqiptarë që nuk kërkojnë asnjë mund dhe asnjë shpenzim për t’u hapur, hetuar dhe dërguar për gjykim.
Pikërisht këto dy gjëra të ‘vogla’ në dukje, për prokurorinë shqiptare dhe konkretisht për Arta Markun, si kreu i akuzës në Shqipëri dhe prokurorët e besuar të saj, duket se mungojnë.
Janë një sërë dosjesh gati të kopsitura në tavolinën e Arta Markut, pjesa më e madhe e të cilave janë mbyllur për shkak të lidhjeve klienteliste të Prokurorisë me Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Fati i prokurorëve por dhe Kryeprokurorit që erdhi pas Ina Ramës, pra Adriatik Llallës tashmë dihet, është nën hetim penal dhe pret të marrë dënimin sipas ligjit për pastrim parash, kalim të paligjshëm të parave cash nga kufiri dhe vepra të tjera penale.
Ndërkohë që “fati” i këtyre dosjeve tashmë është në dorën e Arta Markut për t’i rihapur.
Në morinë e këtyre dosjeve, për të cilat “PAMFLETI” ka shkruajtur dhe kërkuar nga kreu i organit të akuzës në Shqipëri për të mos i lënë më në gjendje të ‘fjetur’ nëpër sirtaret e prokurorisë, është dhe dosja e pazareve dhe pastrimit të parave nga Damir Fazlliç.
Biznesmeni kontravers serbo-boshnjak, njëherësh mik i Sali Berishës, vajzës së tij Argita Berisha Malltezi e Lulzim Bashës, nën qeverisjen e PD iu fut biznesit me përfitime të mëdha në Shqipëri.
Duke pasur mbrojtjen e ish kryeministrit Sali Berisha, e deklaroi në mes të Kuvendit se dhe mund ta sillte në sallë dhe Rama s’kishte çfarë i bënte, Damir Fazlliç iu fut biznesit të tokave si hap i parë, pa llogaritur këtu kompanitë serbe të ndërtimit që morën rrugët nëpër Shqipëri.
Në nëntor 2006, vajza e Berishës, avokatja Argita Berisha Malltezi dhe kolegia e saj Flutura Kola, filluan të blejnë në Porto Romano tokë me 10 euro për metër katror, dy herë më shumë se sa vlera e tregut.
Rreth 14 hektarë në kufijtë e një parku energjetik të vogël të lidhur me portin në perspektivë u siguruan për klientin e tyre, biznesmenin serbo-boshnjak dhe këshilltar të kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, Damir Fazlliç.
Biznesmeni mik i Berishës, i pagoi ndërmjetësit e tij, direkt apo indirekt, më shumë se sa katër herë çmimin e tregut, 18 euro për metër katror.
Pasi transaksionet u mbyllën, Berisha mori një vendim qeverie për të lëvizur kufirin e parkut energjetik, duke përfshirë aty dhe pronat e reja të Fazlliçit, i cili i transformoi menjëherë nga një kënetë të pavlerë, në një pronë me vlerë të lartë, si dhe rriti çmimin e saj me së paku tetë herë.
Mendohet se me këtë transaksion të fortë dhe të shpejtë në një zonë e cila kishte marrë dhe më parë para nga Banka Botërore për t’u pastruar, vajza e Berishës, Argita Malltezi, mund të ketë fituar 1.2 milionë euro, nga shitja e tokës tek Fazlliçi.
Ndërsa toka nuk ishte e preferuar në 2007, Fazlliçi aplikoi me sukses për të ndërtuar një terminal të madh nafte, duke e rritur vlerën e saj me tetë herë në krahasim me çmimin fillestar të tregut.
Madje i bëri edhe reklamë mediatike, duke paguar nën dorë pronarët afërt me kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, e cila u përkthye më pas nga vetë miku i tij kryeministër, në aksionin “Shqipëria, një superfuqi e vogël energjetike”.
Dhe Damir Fazlliç e pa vlerën e tokës së tij, të regjistruar në emër të dy kompanive shqiptare, të rritej si me “magji” nga 1.7 në 4.2 milionë euro, falë vendimit të Berishës.
Mediat nënvizuan asokohe se manjati serb i energjisë Vojin Lazareviç ishte në qendër të marrëveshjes, duke financuar 2.5 milionë euro në llogarinë private bankare të Fazlliç në Shqipëri, përmes një rrjeti kompanish të regjistruara nëpër parajsa fiskale.
Për ta shpjeguar në mënyrë më konkrete dhe më të kuptueshme për lexuesin këtë transaksion miliona dollarë të Fazlliç, i ndihmuar nga Argita Berisha Malltezi dhe familja e saj, po japim disa detaje më të thjeshta.
Argita Berisha Malltezi e bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi, bashkë me Flutura Kolën dhe burrin e saj Florenc blenë dhe pesë hektarë tokë nga fshatarët për më pak se 10 euro për metër katror, të cilën ia rishitën menjëherë kompanisë “Alpha” Shpk të Fazlliçit për 18 euro, duke fituar në këtë mënyrë 430 mijë euro. Rreth 150 mijë euro të tjera i janë paguar në dorë Florenc Kolës për blerje tokash.
Media shkruante se gjatë transaksioneve Flutura Kola vepronte në disa raste njëkohësisht si shitëse e pronës, për shkak se ajo e kishte tokën nën pronësi me bashkëshortin e saj, por dhe si blerëse, duke qënë përfaqësuesja ligjore e Damir Fazlliç.
Pasi tërhiqte fonde nga llogaria personale e Fazlliçit, ajo në fakt paguante veten dhe partneren e biznesit, Argita Berisha Malltezi për tokën.
“Crown Acquisitions” në fund u shit në qershor 2007 për 1.7 milionë euro te “Altaria Research Limited”, një kompani e regjistruar në Qipro dhe e kontrolluar nga Lazareviç.
“Alpha” Shpk iu shit kompanisë me bazë në Qipro, “Irongold Ltd”, gjithashtu e kontrolluar nga Lazareviç, për 1.25 milionë euro. Fazlliç siguroi 300 mijë euro fitime nga këto shitje.
Fazlliç pretendoi publikisht në tetor 2008, se “Altaria Research Limited” ishte kompania e tij hollding në Qipro. Dhe për pasojë, sipas tij, ai nuk kishte siguruar fitime për shkak se po i shiste “Crown Acquisitions” dhe tokat nën pronësinë e saj, vetes.
Kur ai u mor në pyetje më 2009 nga prokurorët, ai refuzoi të jepte emrin e pronarit për shkak se, “kjo mund të dëmtonte biznesin e tij”.
Megjithatë Fazlliç këmbënguli më vonë se kishte bashkëpronësi 50% me 50% te “Crown Acquisitions” dhe “Alpha” Shpk me Lazareviç, përmes “Altaria Research Limited”.
Por më 2008, transaksionet tërhoqën vëmendjen e hetuesve shqiptarë kundër pastrimit të parave, të shqetësuar nga përdorimi i kompanive “guackë” nga Fazlliç në Shqipëri, numri i shitjeve të kryera me cash, çmimet e inflacionuara, si dhe përfshirja e kompanive të regjistruara në parajsat fiskale, Qipro dhe Karaibe.
Çështja ndaj Fazlliç u rrëzua më 2009 pasi prokurorët nuk “siguruan” dokumentet kyçe nga Bosnja dhe Qipro dhe nuk arritën të gjurmonin origjinën e fondeve.
Fazlliç nuk u akuzua kurrë formalisht për ndonjë shkelje dhe hodhi poshtë të gjitha aludimet. Ai kishte gjetur partner të ri.
Me ndryshimin e qeverisë më 2013 dhe largimin e Berishës, disa besuan se projekti i Fazlliç do të dështojë me ardhjen në pushtet të PS.
Por biznesmeni-boshnjak vijoi të bënte biznes si zakonisht me qeverinë e re shqiptare, madje deklaroi se është takuar dhe me kryeministrin e ri Edi Rama dhe disa nga ministrat e tij.
Fazlliç deklaronte kudo se Berishën e ka mik, por nuk e ka problem të bashkëpunojë dhe me Ramën, megjithëse ky i fundit e mohoi lajmin e takimit me të. Dhe serbo-boshnjaku ka të drejtë kur thotë se vijon biznesin dhe nën qeverinë e socialistëve të Ramës.
Pasi linja e interkonjeksionit 400 KV Tiranë-Prishtinë me vendim të qeverisë “Rama” në dhjetor 2013 u vendos të realizohet nga dy firma ballkanike, kroatja “Dalekovod” për segmentin kosovar dhe boshnjakja “Energoinvest” për pjesën shqiptare.
Kjo e fundit ishte një emër i njohur për median shqiptare. Ndërsa ishin ende në opozitë, socialistët akuzuan atëherë qeverinë “Berisha” se bllokoi qëllimisht linjën e interkonjeksionit, pasi dëshironte të shpallte fituese firmën “Energoinvest”, që sipas PS ishte e lidhur me biznesmenin Damir Fazlliç.
Por pas ndryshimit të pushteteve Rama bëri të njëjtën gjë për të cilën akuzoi Berishën.
“Energoinvest” u shpall nga qeveria “Rama” fituese e tenderit për pjesën shqiptare të interkoneksionit. “Energoinvest” publikoi në faqen e saj lajmin e kontratës me qeverinë “Rama”, falë së cilës përfitonte 29 milionë euro.
Ministria e Energjetikës pranoi zgjedhjen e kompanisë boshnjake “Energoinvest” me aksioner dhe Fazlliç, për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Përmes një njoftimi për mediat, Ministria sqaron se përzgjedhja, deri në ofertën teknike është kryer nga drejtuesit e OST-së dhe konsulentët e bankës KFW, gjatë qeverisjes së Berishës.
Gjithashtu sqaron se gjithë procedura është ndjekur dhe zhvilluar nën konsulencën e Bankës gjermane, e cila ka certifikuar procesin deri në firmosjen e kontratës më 12 dhjetor 2013./Pamflet