Prej orës 11:00 Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste vijon punimet me dyer të mbyllura. Në fokus është jo vetëm zgjedhjet parlamentare 2025, por edhe riorganizimi i strukturave brenda partisë.
Mbledhja ka nisur me një analizë sa i takon punës së bërë nga strukturat e PS-së në terren dhe përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të 2025.
Janë drejtuesit e qarqeve apo në disa rastte dhe 2 ose tre deputetë që po bëjnë raportimet. Punimet në Asamble kanë nisur me qarkun e Tiranës, ku Rama ka pasur rezerva për strukturën e PS-së në Kavajë për të vijuar më pas me Shkodrën, Lezhën e Fierin.
Gazetarja e Report Tv dhe shqiptarja.com, Danjela Maloku ka mësuar se kryeministri ka kërkuar emrat e drejtuesve në bazë me performancë më të ulët.
Në një prononcim për median para se të niste punimet Asambleja kryetari i PS-së Edi Rama bëri të qartë se nuk bëhet fjalë për ndryshime, por se riorganizimi do bëhet në të mirë të punës, për të arritur objektivat e vendosur edhe për zgjedhjet e 2025-ës. Kryesocialisti pranon se është e nevojshme një hapje e partisë, ndërsa refuzoi të flasë për Ahmetajn.
“PS është në një proces të rëndësishëm dhe jemi shumë të vetëdijshëm që është më e nevojshme se asnjëherë më parë një hapje e madhe e partisë dhe një përfshirje sa më të gjerë për të gjithë ata që kanë dëshirën dhe nevojën e brendshme që të kontribuojnë”, tha Rama.
Rreth 400 anëtarët e asamblesë janë të pranishëm në Asamble që mbahet në një restorant në periferi të Tiranës. Në fokus janë dhe realizimi i detyrave të lëna në Kongresin e Partisë Socialiste më 8 dhjetor, aty nga ku kryeministri Edi Rama njoftoi se pranvera e 2024-ës do ta gjejë Partinë Socialiste me struktura të reja.
Sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha dje për Report Tv se pret që deri në pranverë të jetë mbyllur procesi zgjedhor brenda partisë deri në nivelet e anëtarëve të asamblesë për të nisur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare 2025.
Ndryshimet do të prekin edhe drejtuesit e degëve në bazë, ndërsa në muajin prill pritet të zhvillohen zgjedhjet për delegatët e Kongresin e PS. Kongresi i ri, do të zgjedhë asamblenë e re, e kjo e fundit do të votëbesojë anëtarët e rinj të Kryesisë.
Të gjitha lajmet mbi këtë mbledhje të rëndësishme brenda PS i ndiqni më poshtë të renditura sipas orës