Partia Socialiste ka nisur dje tentativat për të ndryshuar sistemin zgjedhor në vend. Edhe pse për vite me radhë, si PS ashtu dhe PD kanë pasur një pakt të heshtur që kjo pjesë të mos preket, situata duket se ka ndryshuar. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka propozuar një projektvendim në Parlament me qëllim ndryshimin e objektit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Ai ka kërkuar që të zgjatet afati i komisionit deri në muajin nëntor, si dhe të jetë pjesë e diskutimeve ndryshimi i sistemit zgjedhor. Lëvizja e PS ka qenë një surprizë për të gjithë, pasi më herët ndryshimi i sistemit është refuzuar të jetë pjesë e diskutimeve në komision. Sipas argumenteve që jepen në letër, ky propozim ka ardhur për të plotësuar kërkesat e opozitës së re që ka hyrë në Parlament.
Ndërkohë, plani është që reforma të ecë me faza. Fillimisht të miratohet drafti aktual që ka shkuar në Parlament, i cili ka të bëjë me depolitizimin e komisionerëve, më pas të vijohet me futjen e teknologjisë dhe në fund të shihet mundësia e ndryshimit të sistemit. Fakti që propozimi i ndryshimit të sistemit vjen në një moment ku kemi krizë politike, po jep sinjale të qarta se kjo mund të jetë goditja finale ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim, për ta nxjerrë nga loja politike.
Shumë zëra në politikë flasin se dhe djegia e mandateve ka qenë një strategji Rama-Basha me ndihmën e ndërkombëtarëve, për të goditur LSI. Por nëse ndryshohet dhe sistemi zgjedhor, atëherë partia e presidentit mund të prekë fundin. Vetë LSI dhe partitë e vogla kanë kërkuar gjithmonë që të ndryshojë sistemi zgjedhor. Por si pritet të ndryshojë sistemi? A do pranojnë PD e PS të fusin një sistem që favorizon partitë e vogla?
LSI, LZHK, PAA, PR e shumë forca të tjera duan lista të hapura dhe korrektim kombëtar. Ky lloj sistemi u jep këtyre partive mundësinë që të mbledhin votat në të gjithë vendin dhe përmes tyre të marrin mandate deputetësh. Nëse futet ky sistem, partitë e vogla me shumë gjasë mund të përfitojnë mjaft deputetë. Por sipas burimeve, një gjë e tillë nuk është në planet e PS. Vetë kryeministri Rama dhe eksponentë të PS prej kohësh e kanë deklaruar se nuk i mbështesin lisat e hapura.
Sistemi me “prim”
Një ndër sistemet që ka trazuar për vite me radhë politikën shqiptare është ai i sistemit me “prim”. Ekspertë të ndryshëm të zgjedhjeve kanë deklaruar se sistemi më ideal do ishte proporcional kombëtarë për vendin tonë. Por vetë ministri dhe deputeti i PS, Bledi Çuçi, kohë më parë ka hedhur idenë e një sistemi proporcional kombëtar me bonus, i njohur ndryshe si “prim”.
Nëse aplikohet ky lloj sistemi, numri i deputetëve në Parlament do përcaktohet mbi bazë të votave në të gjithë vendin, por partia e parë do ketë bonos. Asaj do i jepen disa deputetë në tavolinë. Këtë sistem e përdorin Greqia e Spanja kryesisht. Ky është një sistem që favorizon sigurisht partitë e mëdha dhe nxjerr jashtë loje partitë e vogla. Më e rrezikuar në këtë sistem është LSI dhe vetë eksponentë të saj e kanë theksuar disa herë se nuk e mbështesin aspak këtë lloj sistemi.
Pas djegies së mandateve, po jepen sinjale të qarta se përmes reformës zgjedhore LSI rrezikon shkrirjen. Së pari është propozuar depolitizimi i komisionerëve dhe zëvendësimi me përfaqësues të shërbimit civil, ku dominojnë njerëz të PS e PD. Por nëse futet dhe një sistem i cili eliminon të vegjlit, atëherë partia e presidentit mund të marrë fund. Deri më tani ndryshimi i sistemit ishte i pamundur sepse palët nuk binin dakord dhe nuk siguroheshin votat në Parlament. Por opozita e re ka dhënë sinjale se do votojë ligjin e ri dhe me gjasë dhe ndryshimin e sistemi, pasi vetë eksponentë të saj e kanë kërkuar këtë gjë. Sigurisht që nga një lëvizje e tillë, LSI do jetë partia që mund ta pësojë. /Kliti Topalli