Rikthehen përplasjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në një manifestim të shtunën në Shkup, përfaqësues të politikes maqedonase provokuan me thirrje kundër Maqedonisë së Veriut.
Angel Xhambaski, eurodeputet bullgar dhe drejtues i partisë bullgare Lëvizja Popullore Bullgare ka provokuar me disa mbishkrime si “Një shtet! Dy kombe”, “Stop gjenocidit ndaj bullgarëve” e tjera.
Autoritetet maqedonase i kanë cilësuar këto deklarata si “provokim i rëndë” që rrënojnë përpjekjet për përmirësimin e raporteve mes dy shteteve.
“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me shumë vëmendje deklaratat e disa figurave politike margjinale nga Bullgaria, provokimet e të cilëve vazhdojnë, pa marrë parasysh përpjekjet e dy vendeve për të ruajtur bashkëpunimin konstruktiv dhe frymën pozitive në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve”, thuhet në një njoftim për shtyp
Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe deputeti bullgar dhe lideri i partisë “Rimëkëmbja”, Kostadin Kostadinov, për të cilin kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se “nuk është i mirëseardhur në Maqedoninë e Veriut për shkak të provokimeve të shumta dhe deklaratave irredentiste për shtetin dhe popullin maqedonas”.
VMRO DPMNE-ja, partia opozitare maqedonase, dënoi fjalimet e zyrtarëve bullgarë duke i quajtur “negative dhe asimiluese”.
Në reagimin e partisë thuhet se “deklaratat e tilla që mohojnë Maqedoninë janë pasojë e politikave tradhtare të Lidhjes Social-Demokrate dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski”.
Maqedonia e Veriut ka intensifikuar debatin mbi nevojën e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e kushtetutës maqedonase, pikë që është e përfshirë në marrëveshjen mes dy vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike.
Ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, pasi në të kundërtën Bullgaria, si vend anëtar i BE-së, mund të bllokojë bisedimet, ashtu siç kishte bërë në nëntor të vitit 2020 kur vendosi veton.