Zimbabve është përfshirë nga një konflikt që po përshkallëzohet me shpejtësi, pasi trupat e qeverisë hapën zjarr ndaj protestuesve opozitarë, në kryeqytetin e vendit, Harare.
Të paktën një person është vrarë nga zjarri, ndërsa disa të tjerë janë plagosur, teksa vendi prej të martës është përfshirë nga një valë e fortë protestash.
Rezultatet për votimin parlamentar kanë treguar se partia qeverisëse ka fituar me një shumicë dërrmuese, ndërsa rezultati i votimit presidencial, nuk ka dalë ende.
Vëzhguesit e Bashkimit Europian kanë shprehur shqetësimin lidhur me kohëzgjatjen e publikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.
Nga ana tjetër, koalicioni opozitar MDC pretendon se kandidati i saj Nelson Chamisa është fitues në zgjedhjet presidenciale, por qeveria po mban peng publikimin e rezultatit, me qëllim manipulimin.
Sa i përket pranisë së ushtrisë në shesh dhe hapjes së zjarrit ndaj protestuesve, Ministri i Drejtësisë tha: Ushtria nuk është për të trembur njerëzit, por për të ndihmuar policinë në ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend”.