Qindra njerëz mbushën rrugët e Napolit dhe Milanos, duke kundërshtuar masat shtrënguese të qeverisë për frenimin e pandemisë së koronavirusit si dhe duke ngritur shqetësimin se vendi do të përfshihet në tensione të forta shoqërore.
Një prani e shtuar e forcave policore u mobilizua për të garantuar rendin, ndërsa demonstratat e ditëve të fundit janë cilësuar “një kambanë alarmi”.
Ministria e Brendshme ka theksuar nevojën për të zbutur çdo situatë të rrezikshme, ndërsa thekson se ata që u bënë protagonistë të përplasjeve me policinë, në thelb, nuk kishin asnjë lidhje me kategoritë që në një farë mënyre u prekën më shumë nga kriza e muajve të fundit, por kishin qëllime specifike të provokimit të trazirave si ultrasit, ekstremistët e djathtë e të tjerë.
Mijëra demonstrues ishin në Piazza del Pebiscito në Napoli për të protestuar kundër masave të qeverisë. Ata kërkojnë dorëheqjen e guvernatorit Vincenzo De Luca teksa e akuzojnë për keqmenaxhim të krizës.
Të dielën, autoritetet italiane urdhëruan mbylljen e palestrave, kinemave dhe teatrove, ndërsa baret dhe restorantet nuk do të presin më klientë pas orës 6 të pasdites.