Muaji mars, nga një muaj që pritej të ishte pozitiv për ekipet kombëtare shqiptare u kthye në një muaj të zi, për shkak të rezultateve turpëruese që ekipet e moshave dhe Kombëtarja A morën në ndeshjet që zhvilluan.
Ndryshe nga siç u premtua dhe u propagandua që në fillim të përgatitjeve ku synimet ishin vetëm fitoret, dhe pretendimi për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm për në europian në rastin e ekipit U-21, gjithçka rezultoi një dështim.
Kombëtarja A që drejtohet nga trajneri, Kristian Panuçi, bëri një paraqitje zhgënjyese në sfidën miqësore të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, kundër përfaqësueses norvegjeze duke u mposhtur me rezultatin 0-1.
Një humbje që nxorri në shesh gjëndjen e lojtarëve të grumbulluar dhe skemat e dështuara nga trajneri Panuçi, i cili në konferencat për shtyp premtonte një ekip sulmues, ndërsa në realitet shikuam një ekip që për 45 minuta nuk gjuajti asnjëherë në portë dhe çalonte në çdo repart si mbrojtje ku gafat ishin të mëdha, në mesfushë duke mos arritur dot që organizoheshim, si dhe në fazën sulmuese ku rasti më i rrezikshëm dhe i vetëm për 90 minuta u krijua nga Armando Sadiku me anë të një goditje me kokë.
I vetmi pozicion që bindi ishte porta ku portieri, Thoma Strakosha, ishte lojtari më i mirë në fushë i cili e shpëtoi skuadrën nga mos pësimi i disa golave të sigurtë që do ta bënte akoma dhe më të rëndë situatën e kuqezinjve.
Një ekip që fuste ujë në çdo repart duke zhvilluar një ndeshje mediokër.
Akoma dhe më të rënda ishin rezultatet për skuadrën U-21 të drejtuar nga trajneri, Alban Bushi, që luante për kualifikueset e kampionatit europian.
Këtu trajneri Alban Bushi nuk e llogariste fare fjalën humbje, pasi me nota superioriteti fliste vetëm për fitore dhe kualifikim.
Por, që në dy sfidat e zhvilluara kundër ekipit të Sllovakisë, 21-vjeçarët morën dy humbje, një në “Selman Stermasi” dhe një në transfertë që u luajt para pak orësh.
Në ndeshjen e parë në Tiranë, kuqezinjtë edhe pse u gjendën dy herë në avantazh nuk arritën dot që të ruanin epërisë përballë kundështarit duke u shthurur totalisht në minutat e fundit duke humbur me shifrat 2-3 që i nxorri dhe nga gara për të shpresuar për një kualifikim të mundshëm.
Ndërsa në takimin e sotëm ishte një paraqitje qesharake dhe këtë e tregon vetë rezultati pasi humbën me shifrat 4-1.
Dy humbje të rënda dhe turpëruese që dikush duhet të mbajë përgjegjësi!
Ndërkohë, jo dhe shumë pozitive ishin dy sfidat miqësore të zhvilluara nga kombëtarja U-19, ndaj të njëjtit kundërshtar Kazakistanit.
Ekipi që drejtohet nga ish sulmuesi i njohur, Erjon Bogdani, morën një fitore dhe një humbje, në ndeshjet e zhvilluara në vendin tonë në stadiumin e Lushnjës “Roza Haxhiu”.
Edhe pse kundër një rivali jo shumë të fortë, sërish nuk u tregua ndonjë performancë e dëshirueshme, por krahasuar me ekipet e tjera rezultatet ishin disi më të kënaqshme.
Por, ajo që vërejtëm gjatë këtyre përgatitjeve ishte propaganda e bërë nga ana e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit që nuk munguan asnjë ditë nëpër media duke na mbushur mendjen se do shihnim vetëm fitore dhe lojë spektakolare.
Natyrisht nuk mund të mungonte dhe mbështetja e gazetarëve dhe mediave pranë tyre që me promot e realizuara na servirnin se këto do të ishin sfidat që mezor i kemi pritur.
Dhe tani janë fshehur duke mos nxjerrë asnjë fjalë duke dashur që gjithçka ta kalojnë sa më shpejt.
Dhe këtë e bëjnë për arsyen se ai që i komandon, Armando Duka, të mos u shqetësohet. (TemA)