Pas tre seancave të dështuara, Prokuroria për Krime të Rënda ka dhënë mesditën e së hënës pretencën për Kelmend Balilin, i cilësuar si “Eskobar i Ballkanit”.
Prokurori Eneid Nakuci ka kërkuar 18 vite burg për Balilin, ndërsa nga gjykimi i shkurtuar kërkesa shkon në 12 vite. Siç raporton nga terreni, gazetari Arsen Rusta, Balili ka qenë i pranishëm në sallë, në momentin kur është paraqitur pretenca, por nuk ka dhënë asnjë koment.
Prokurori Nakuçi, tha se Balili është në akuzë vetëm për rastin e trafikut të rreth 700 kg kanabis , ndërsa si prova u paraqitën një sërë përgjimesh. Kështu, Krimet e Rënda, kërkuan shpalljen e fajshëm të tij për trafik lëndësh narkotike dhe dënimin me 10 vite burg; deklarimin fajtor për pastrim parash dhe dënimin me 5 vite burg; deklarimin fajtor për fshehje të pasurisë dhe dënimin me 6 muaj dhe deklarimin fajtor për grup kriminal dhe dënimin me 5 vite burg.
Seanca e radhës ku do të jepen pretendimet e mbrojtjes do të mbahet më 23 prill në orën 12:30.