Pushtetarët e korruptuar duhet të nisin të shqetësohen. Deri më tani ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, kryeministra apo ish-kryeministra ja kanë hedhur të gjithë paq, edhe pse ndaj tyre ka pasur kallëzime konkrete në prokurori. Shumë ministra të ish-qeverisë “Berisha” janë kallëzuar për shumë akuza, duke filluar nga Basha, Ruli, Bode apo Imami. Por qetësia për këdo që ka futur xhepat në duart e shqiptarëve duket epo mbaron. Dje u zhvillua seanca e tretë e intervistave me kandidatët për Prokurorinë e Posaçme.
Pas datës 12 nis renditja e kandidatëve dhe punë ditësh Prokuroria Speciale do jetë gati, ndërsa menjëherë do ngrihet dhe Gjykata e Posaçme. Pra fillimi i gushtit e gjen SPAK gati dhe më pas nis puna për Byronë e Hetimit. Sipas burimeve, në prokurori apo gjykata kanë nisur përgatitjet për transferimin e dosjeve. Në nenin 57, pika 5 e ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është e përcaktuar e zeza mbi të bardhë se në momentin që do të ngrihet Prokuroria e Posaçme, apo Speciale, të gjitha dosjet ndaj pushtetarëve do dorëzohen aty. “Deri në fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, kompetenca e saj për të ushtruar ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, për veprat penale apo subjektet e përcaktuara në pikën 2, të nenit 135, të Kushtetutës, ushtrohet përkatësisht nga Prokuroria e Përgjithshme, prokuroritë e rretheve gjyqësore apo Prokuroria e Krimeve të Rënda, sipas kompetencës dhe juridiksionit të parashikuar nga legjislacioni në fuqi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ditën e fillimit të funksionit të Prokurorisë së Posaçme, çështjet nën hetim apo gjykim i transferohen menjëherë për ndjekje
kësaj prokurorie”, thuhet aty. Pra ligji e përcakton qartë se në ditën e parë të Prokurorisë Speciale, të gjitha dosjet nën hetim do kalojnë aty. Në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kushtetutë janë përcaktuar kompetencat e SPAK dhe çdo dosje ndaj deputetëve, ish-deputetëve, ministrave, ish-ministrave, kryebashkiakëve, ish-kryebashkiakëve, kryeministrave apo ish-kryeministrave kalon te Prokuroria Speciale pavarësisht se ku po hetohet.
Emrat që rrezikojnë
Nga ngritja e SPAK janë të rrezikuar padyshim të gjithë politikanët që kanë vjedhur taksat e qytetarëve. Por mes tyre ka dhe nga ata që do u vijë radha më shpejt. Mes dosjeve që do kalojnë te SPAK, ka emra mjaft të njohur. I pari është kryeprokurori Adriatik Llalla. Ai po hetohet nga Krimet e Rënda për 4 vepra penale dhe afatet hetimore. Sapo SPAK të ngrihet, dosja e tij do kalojë menjëherë aty. Një tjetër emër është kreu demokrat Lulzim Basha. Ai po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për lobimet në SHBA. Basha së fundmi u mor i pandehur për pastrim parash dhe për mosdeklarim të shpenzimeve në fushatë. I rrezikuar është dhe ish-kryeministri Sali Berisha, djali i tij dhe disa ish-ministra. Një dosje që ka mbetur e hapur nga prokuroria është ajo e CEZ. Në prokurori ka një padi nga Kuvendi dhe një nga juristi Romeo Kara ndaj rreth 21 zyrtarëve. Edhe kjo dosje kalon te SPAK. Sipas ligjit të luftës antikorrupsion, pas dosjeve të prokurorisë, do ketë transferim dhe të çështjeve që janë te Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sinjalet janë se era e luftës antikorrupsion po fryn dhe mbetet të shihet se kush do e pësojë. /Kliti Topalli