Prokuroria e Krimeve të Rënda, në limitet e kohës ankimoi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ky i fundit u dënua me 3 vite shërbim prove dhe pse prokuroria e akuzonte për “Trafikim të lëndëve narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Por kërkesa u rrëzua nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila e dënoi Tahirin me 5 vite burg për shpërdorim të detyrës. Por duke qenë se ai përfitoi gjykim të shkurtuar, dënimi u ul në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim, gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, për 3 vite, ish-ministri Tahiri nuk duhet të ushtrojë funksione publike. Pikërisht ky dënim nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda bëri që prokuroria të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit. Dy ditë më parë, edhe ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ankimoi vendimin e gjykatës. Ankimi i Tahirit u dorëzua në Gjykatën e Apelit gjatë ditës së djeshme, ndërsa për argumentimin e tij, avokati i ish-ministrit, Maksim Haxhia, shkruan se do ta bëjë pas zbardhjes së plotë të vendimit. Dy ditë më parë, ankim ndaj vendimit ushtroi edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili ndodhet në arrati prej më shumë se një vit. Çela u dënua me 3 vite e 4 muaj burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Në dispozitivin e vendimit, Gjykata argumentoi se akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk provohen, tej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit të dosjes, treshja ka vlerësuar të ndryshojë cilësimin e veprës penale, duke gjetur fajtorë dy ish- zyrtarët për “Shpërdorim detyre”. “I pandehuri Saimir Tahiri, duke mbajtur kontakte të tilla të pashpjegueshme me Habilajt, si dhe mosmarrja e masave për kanalizimin dhe përfshirjen e Policisë në këtë fenomen, ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, tha gjyqtari gjatë leximit të diapozitivit.