Prokuroria në Dhomat e Specializuara të Kosovës akuzoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për përpjekje për të ndërhyrë te dëshmitarët dhe penguar dëshmitë e tyre dhe bëri thirrje që atyre t’u kufizohen vizitat.
Nga Përparim Isufi
Prokuroria në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka kërkuar që të kufizohen vizitat e të pandehurve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, me pretendimin se tre ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tani po gjykohen për krime lufte, kanë bërë “përpjekje të paligjshme për të ndërhyrë te dëshmitarët dhe për të penguar dëshminë e tyre”.
Prokuroria pretendoi se Thaçi, Veseli dhe Selimi zbuluan identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe ua shpërndanë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale njerëzve që i vizitonin në qendrën e paraburgimit të gjykatës në Hagë.
Ajo publikoi pjesë të transkripteve të redaktuara të bisedave që Thaçi, Veseli dhe Selimi kishin bërë me vizitorët e tyre, duke folur për disa nga dëshmitarët në gjyqin e tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Hetimet e Dhomës së Prokurorit të Specializuar kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procedimin, duke përfshirë lëshimin e udhëzimeve nga të akuzuarit se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët dhe planifikimin e qasjeve ndaj dëshmitarëve”, tha prokuroria në kërkesën e saj, e cila u depozitua më 17 nëntor, por u bë publike më e mërkurë.
Ajo pretendoi se shumë dëshmitarë të mbrojtur në këtë rast “kanë raportuar se u janë afruar persona që përpiqen të pengojnë ose ndikojnë në dëshminë e tyre”.
“Në një numër rastesh, këto qasje u treguan se ishin drejtuar nga një ose më shumë nga tre të akuzuarit (Thaçi, Veseli dhe Selimi) dhe/ose personat që i kishin vizituar ata në Hagë”, tha ajo.
Ajo shpjegoi se një gjykatës kishte autorizuar regjistrimin e fshehtë audio të vizitave jo të privilegjuara të tre burrave në qendrën e paraburgimit.
Prokuroria kërkoi nga gjykata që të “ndajë menjëherë” Thaçin, Veselin dhe Selimin dhe të pezullojë të gjitha komunikimet e tyre të paprivilegjuara, duke përfshirë vizitat, lidhjet me Zoom, telefonatat dhe komunikimet me shkrim, derisa gjyqtarët të vendosin për kufizimin e vizitave për tre burrat.
Jakup Krasniqi, i pandehuri i katërt në gjykim, nuk u përmend në dosjen e prokurorisë.
Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, dhe tre të pandehurit e tjerë bashkë me të akuzohen se kanë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krimet që janë kryer kryesisht kundër të burgosurve të mbajtur në objektet e paraburgimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje, duke përfshirë 102 vrasje. Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë një çështje kyçe për Dhomat e Specializuara të Kosovës pas incidenteve të ndërhyrjes te dëshmitarët në gjyqet e mëparshme të lidhura me UÇK-në në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në Hagë.
Dhomat e Specializuara u krijuan për të gjykuar krimet që dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe përbëhen nga personel ndërkombëtar.
Ato u krijuan nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk ishte mjaftueshëm i fuqishëm për të gjykuar rastet në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe për të mbrojtur dëshmitarët nga ndërhyrja.
E ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.