Prokuroria e Posaçme shumë shpejt nuk do të ketë asnjë pengesë procedurale të asistohet nga prokurorë të huaj dhe të ngrejë grupe të përbashkëta hetimore me shtete partnere.
Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, i ndryshuar, i cili do të forcojë bashkëpunimin e SPAK dhe prokurorive të tjera me ndërkombëtarët. Përveç ndryshimit të procedurave mbi letër-porositë, aty është futur një nen, i cili mundëson marrjen e asistencës juridike nga agjenci të huaja ligjzbatuese.
“Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje: “1/1. Prokurori kompetent i rrethit ose, kur është rasti, prokurori i Prokurorisë së Posaçme, kur nuk kërkohet disponimi i gjykatës sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale ose marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara, kryen menjëherë ekzekutimin e kërkesave për ndihmë juridike””, thuhet në ligj. Ndërsa në relacionin që shoqëron draftin jepen detaje interesante. Është folur shumë se SPAK do të jetë në duart e ndërkombëtarëve, por tashmë krijohet mundësia që në çështje të caktuar mund të kërkohet asistencë nga prokurori të vendeve partnere.
Pra nuk do ketë asnjë pengesë që aty të atashohen përfaqësues të SHBA apo vendeve të tjera. Momentalisht një gjë e tillë ka shumë procedura, pasi më parë duhet të kalojë nga Ministria e Drejtësisë, tani procedurat janë thjeshtuar.
“Shtesa në nenin 14 është vlerësuar se përveç letërporosive që kanë objekt kryerjen e veprimeve procedurale, për të cilat është i nevojshëm vendimi i gjykatës sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale, kryhet ekzekutimi i kërkesave për ndihmë juridike. Një parashikim i tillë thjeshton procedurat e ndjekura nga Prokuroria, por adreson edhe rekomandimet e MONEYVAL për thjeshtimin e procedurave të bashkëpunimit gjyqësor”, thuhet aty.
Grupet hetimore
MONEYVAL është organizata kryesore sa i takon luftës kundër pastrimit të parave. Në relacion thuhet se dhe falë kërkesave të saj, janë thjeshtuar procedurat për të ngritur grupe të përbashkëta hetimore mes SPAK, prokurorive të thjeshta dhe shteteve partnere. Kjo do të thotë se do të jetë më e lehtë të gjurmohen paratë e pista të pushtetarëve.
Janë të shumtë ata që kanë llogari të fshehta dhe prona jashtë vendit dhe tani rrezikojnë prangat. “Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është parë e nevojshme dhe është kërkuar që të shtohet një nen për skuadrat e përbashkëta hetimore, e cila vjen në përputhje me angazhimet e nenit 14 të Konventës Europiane të Ndihmës Juridike, kërkesat për ngritjen e një skuadre të përbashkët hetimore, duke përcaktuar kushtet dhe kriteret e përgjithshme për ngritjen e saj. Përcaktimi i këtij parashikimi në këtë projektligj do të shërbejë si një bazë ligjore për të gjitha skuadrat e përbashkëta, duke unifikuar rregullat për krijimin e tyre”, thuhet në relacion. Më tej janë përcaktuar dhe mënyra se si do të ndahen pasuritë e konfiskuara.
Nëse një zyrtari i gjenden llogari miliona euro, atëherë paratë do të ndahen mes Shqipërisë dhe shtetit ku ato janë fshehur. “Dorëzimi ose ndarja e pasurisë së konfiskuar kryhet nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe për dorëzimin e pasurisë së konfiskuar mes shtetit kërkues dhe shtetit të kërkuar, në zbatim të vendimit të gjykatës së huaj, të njohur dhe të ekzekutueshëm sipas legjislacionit në fuqi për njohjen e vendimeve penale të huaja”, thuhet në ligj.