Në Kuvend është depozituar nga qeveria një projektligj për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Shqipëri. Përpos rregullimeve të tjera, nisma ligjore parashikon për herë të parë edhe mundësinë e heqjes së dekoratave dhe të titujve të nderit për personat që mund të mos e meritojnë.
“Ligji nr.112/2013 ka qenë jo i plotë në drejtim të rregullimit të rasteve kur u hiqet titulli i nderit subjekteve që e kanë marrë atë sipas ligjit. Në projektligjin e ri janë përcaktuar këto raste në mënyrë shteruese, të cilat përmbajnë rrethana të atilla që e bëjnë të pamundur objektivisht mbajtjen e titullit të nderit”, thuhet në relacion.
Konkretisht, kur një person dënohet me vendim të formës së prerë për një nga veprat e parashikuara në Kodin Penal, nuk do të mund të mbajë titullin e nderit. Në këtë rast, vendimi mund të merret nga gjykata si dënim plotësues ose nga vetë institucioni përgjegjës për dhënien e titullit ose titullit vendor të nderit. Titullin e nderit do ta humbasin edhe personat, të cilët shpallen të padëshirueshëm sipas ligjit që rregullon qëndrimin e të huajve në Shqipëri.
Gjithsesi, titujt e nderit dhe medaljet do t’i humbasin restorantet e mishit të derrit dhe të peshkut, që janë nderuar nga ish Presidenti Ilir Meta, kur shkonte për të konsumuar dreka dhe darka, duke i nderuar më pas me titullin “Mjeshtër i Madh”. Meqenëse këto restorante nuk kanë se si të dënohen dhe të shpallen non grata, do të vijojnë t’i mbajnë titujt që u ka dhënë Ilir Meta. Ky i fundit e ktheu Presidencën, jo vetëm në një fabrikë të dhënies së shtetësive, por edhe në një fabrikë dekoratash. Meta ka dhënë një dekoratë çdo dy ditë.
Ndërkaq, ligji i vitit 2013, aktualisht në fuqi, është evaziv sa i takon kushteve dhe kritereve që duhet të plotësojë një person për t’u nderuar, duke përmendur vetëm termat “personalitete shqiptare” apo {personalitete të huaja”. Nisma e re parashikon që mund të nderohet me titull nderi shtetasit shqiptarë ose të huaj, që janë dalluar në kryerjen e veprimtarive të fushave të ndryshme, brenda ose jashtë vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të shtetit, kombit shqiptar apo komunitetit të njësive të vetëqeverisjes vendore./Adriatik Doçi-shqiptarja/m.j