Parku Kombëtar “Lumi Vjosa” do të ketë Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit, projekt që do të zbatohet nga studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.
Kryeministri Edi Rama publikoi projektin fitues që u shpall katër ditë më parë Tiranë.
“Jam i bindur se ky projekt, i cili do të materializohet menjëherë pas shpalljes së fituesit, do të jetë projekti që do të hapë edhe atë shteg të perpsektivës së të ardhmes dhe për njerëzit e mbi të gjitha për vajzat dhe djemtë që rriten në mes të kësaj mrekullie të natyrës, që të gjejnë të gjitha arsyet ta ndërtojnë jetën aty, duke pasur mundësinë të jetojnë po aq mirë sa vetë Vjosa, të mbrojtur, të mbështetur edhe të financuar nga aktiviteti i tyre ekonomik dhe social”, tha ai.
Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall në mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”, shkruan ATSH.