mra që janë pjesë e opozitës, me në krye Bashën e PD-së, vendosën që t’i japin një kthesë të paprecedentë rregullave të lojës demokratike në Shqipëri, duke vendosur vetdjegien e mandateve.
Ata, në një farë mënyre u shndërruan në personazhe të një momenti historik, por sa historikë janë ata në vlerën e tyre si figura politike, gjykuar nga ajo çfarë i kanë dhënë vendit nga personaliteti dhe aftësia e tyre në vite, se ç’gjurmë, ç’standarte, ç’model.
Lulzim Basha – unikal në mënyrën e të hyrit në politikë. Me zero njohje nga publiku, me zero protagonizëm publik, i ardhur si nëpunës i UNMIK-ut në një qeverisje të re, ai mbajti në 8 vite katër poste ministrore dhe një mandat si kryetar Bashkie në kryeqytet. Për t’i vënë notën, mjafton ligjërimi i tij, ku përveçse i varfër, shabllon, shterp, nuk përmban asnjë vetëafirmim të meritave si politikan ndër vite. Deri më sot, Basha nuk nuk i referohet vetes për asnjë reformë, asnjë standart, as një risi në politikë. Madje dhe aktin më të madh të tij si qeveritar – firmosjen e Paktit Detar – kurrë nuk ndodh ta mbrojë, për ta patur si medaljen e tij të aftësisë politike, juridike po ashtu, dhe në njohjen e thellë të marrëdhënieve ndërkomnbëtare.
Monika Kryemadhi – e pranishme si emër në politikën e mbi 25 viteve, me një pozicion periferik, e që nuk ka patur kurrë një pozicion shtetëror, që do ishte dhe një e dhënë e aftësisë së saj për drejtuar shtet. E njohur më së shumti si bashkëshortja e Ilir Metës, ajo falë një rrethanë familjare është sot në krye të LSI-së. Eshtë e vështirë e gati e pamundur që t’i veçosh ndonjë dhunti të spikatur politike dhe etike po ashtu. Nëse bën një përpjekje hipotetike për t’i besuar një funksion, pra drejtimin e një sektori, imagjinata ngec dhe nuk funksionon.
Fatmir Mediu – ka hyrë në politikë duke u vënë në krye të një partie që ka si kauzë çështjen e pronave. Sot kjo çështje është akuzatorja më e madhe e të pretenduarës si e djathtë – PD-së. Ka mbajtur dy poste ministrore, Mbrojtjen e Mjedisin, por nuk dihet se ç’rol ka patur dhe ç’ndihmë i ka dhënë ndër vite çështjes së pronave. Vijon në krye të PR-së, pa u ditur se cilët janë emra të tjerë në lidershipin e kësaj partie.
Dashamir Shehi – është padyshim figura që përbën precedentin më interesant në politikën shqiptare. Ftohet rregullisht në studio televizive, i merret mendim për çdo gjë, nuk ngurron gjithashtu të flasë për çdo gjë, por në terma politikë është një prej dështimeve më katastrofike. Është ky një kënd nga i cili media nuke sheh kurrë. Në më shumë se 27 vjet prezent në politikë, ka mbajtur vetëm tre vjet përgjegjësi politike e shtetërore, nga ‘92 e deri në ‘96 si zv.kryeministër e ministër i Çështjeve Sociale. Prej atëherë nuk i është besuar asnjë post, asnjë detyrë shtetërore. Ka themeluar një parti dhe nuk ka mundur të ketë elektorat, edhe pse shumë njerëz ia pëlqejnë atë që në fakt është muhabet se sa ligjërim klasik politik. Është në parlament falë listave të PD-së. Me emrin e tij nuk lidhet as ndonjë projekt e as ndonjë lëvizje politike.
Vangjel Dule – I çfaktorizuar mjeshtërisht nga Rama, ekziston ende, më shumë si individ se sa si parti, falë amoralitetit politik të opozitës. Pa asnjë ngjashmëri me paraardhësin e tij, themeluesin e PBDNJ-së, të fismin Vasil Melo, emri i tij identifikohet vetëm me atë të njeriut të Athinës, emisarit në saktë, në politikën shqiptare, në formën e një Kali Troje.
Agron Duka – I mbetur në kujtesën e opinionit publik si “Duka i krimit”, etiketuar i tillë nga zëri historik i partisë së Bashës – Sali Berisha, ende aq zëngjirur e fjalëashpër ndaj rivalëve politikë, drejton prej pak vitesh partinë e lënë nga Lufter Xhuveli. Është e tepërt ta gjykosh për nga aftësia politike në drejtimin e Partisë Agrare, nëse ka mundur t’i japë ndonjë peshë elektorale. Ka qenë ministër i Nanos në kohën e xanxës si kriminel, duke drejtuar në fakt një sektor pa asnjë lidhje me krimin – Bujqësinë, e nuk ia ka sqaruar oponionit se ç’i dha këtij sektori me aftësinë e tij, apo ç’është më e rëndësishmja, se pse nuk e ka hiç problem që jetë krah një partie që ia ka marrë erzin duke e barazuar me krimin.
Nard Ndoka – I pakomentueshëm.(Tesheshi)