Mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike krahas debateve për çështjen “Berisha”, ditët e fundit kanë prodhuar edhe pakënaqësi të deputetëve të PD sa i takon aksionit opozitar.
Të shtunën Lulzim Basha mblodhi deputetët për t’i komunikuar vendimin se nga kjo e hënë do të jenë në Kuvend për të marrë pjesë fizikisht në komisionet parlamentare. Gjatë mbledhjes në pikën e parë e rendit të ditës, Basha kërkoi nga deputetët e tij të intensifikim të kontakteve me qytetarët dhe ngritja e çdo problematike që shqetëson komunitetet lokale dhe ndjekja e çdo abuzimi qeveritar në çdo sektor.
Gjatë mbledhjes, kreu i demokratëve kërkoi që denoncimi i problematikave të qytetarëve të bëhet përmes dy koordinatorëve, teksa kreu i grupit parlamentar, Alfred Rushaj kërkoi që për daljet mediatike, deputetët të koordinohen me zyrën e shtypit. Kjo kërkesë e Rushajt nuk është pranuar nga deputeti i Lezhës, Agron Gjekamarkaj i cili me tone të larta i ka bërë të qartë drejtuesve të PD se ai nuk mund të kthehet në vartës i zyrës së shtypit dhe nuk do ta respektoj këtë vendimmarrje.
Debati në PD
Lulzim Basha: Ajo që dua nga secili prej jush është që të jeni që të bëheni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e qytetarëve. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve, ndaj është detyra jonë t’i bëjmë publike problematikat e tyre.
Ndaj në PD do të ketë një strukturë funksionale për të koordinuar problematikat e qytetarëve dhe propozimet konkrete që do vijnë nga degët dhe deputetët demokratë. Sigurisht që publikimi i këtyre fakteve duhet të bëhet në koordinim të plotë me dy përfaqësuesit e grupit parlamentar që do të merren me këtë organizim. Dua që të mos jemi kaotik në denoncimin e çdo problematike, por të jemi të koordinuar me zyrën e shtypit.
(Kreu i PD largohet nga mbledhja për t’u rikthyer sërish pas pak çastesh)
Alfred Rushaj: Në vijim të asaj që tha kryetari sa i takon organizimit të daljeve mediatike, kërkoj mirëkuptimin tuaj për të njoftuar për çdo dalje mediatike zyrën e shtypit. Do të doja të mos konfirmonit dalje meditiake, pa marrë fillimisht dakordësinë e zyrës së shtypit dhe pa koordinuar mesazhin politik për temat që do të diskutoni në debatet ku do të merrni pjesë apo intervistat që do të jepni.
Agron Gjekmarkaj (ngre zërin): Unë po jua them këtu që ta dini. Unë nuk bëhem vartës i zyrës së shtypit. Kjo parti këtë problem ka pasur 8 vite që nuk lejon individët të thonë atë që mendojnë, por i nxjerr të cicërojnë në deklarata shtypi me letër përpara. Secili duhet të ketë individualitetin e tij. Po e theksoj edhe njëherë unë nuk i marr leje askujt për daljet e mia, për të qenë në debate apo për të dhënë intervista. Jam intelektual dhe kam mendimin tim, të cilin do ta shpreh kudo që unë do të shkoj! /Nga Juxhin Mustafaraj