Procesi i vetingut nisi në muajin mars me listën prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë kandidatë për KLGJ, KLP dhe KED. Ndërkohë që jemi në muajin gusht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka thuajse të përfunduar procesin e vetingut për listën e parë prioritare ku janë kandidatët e tri institucioneve mjaft të nevojshme, për marrjen jetë të reformës.
Deri më tani, ka përfunduar vetingu për listën e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Nga kjo listë, ka vetëm një vakancë dhe Gjykata e Lartë ka hapur garën për kandidatët e interesuar që përfshijnë vetëm gjyqtarët e Apeleve. Kjo ndodhi pas shkarkimit të Besim Trezhnjevës, gjyqtar i Apelit të Durrësit dhe kandidat për KLGJ.
Ndërkohë, nga KLP-ja mbeten për të kaluar në sitën e vetingut edhe pesë kandidatë, por situata paraqitet më ndryshe, me gjashtë të shkarkuar që duhen zëvendësuar gjithashtu. Situata duket më problematike me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, si me anëtarët aktualë, ashtu edhe me kandidatët. Kujtojmë se, ky institucion është ai që do të zgjedhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas ligjit, i takon KED që të zgjedhë anëtarët e Kushtetueses, në një kohë që kjo e fundit ka mbetur vetëm me dy anëtarë. Zgjidhja e ngërçit në Kushtetuese do ta zhbllokonte edhe Reformën në Drejtësi, duke bërë gati ngritjen e KLGJ dhe KLP. Mirëpo, kalimi në filtrat e drejtësisë edhe të anëtarëve gjyqtarë të Kushtetueses, anëtarëve dhe kandidatëve të KED, si edhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë ka krijuar mjaft vakanca që lidhen me njëra-tjetrën.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë dhe 3 zëvendësues. Sipas ligjit, ky Këshill duhet të ketë dy anëtarë nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Lartë, i cili është edhe kryetari i Këshillit, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë nga gjykatat e Apelit, dy prokurorë nga zyrtarë të Prokurorisë pranë gjykatave të Apelit. Anëtarët e KED qëndrojnë në detyrë me një mandat 1-vjeçar.
Sipas ”Panorama”, kalimi në filtrat e drejtësisë ka bërë që pesë anëtarë dhe zëvendësues të KED të shkarkohen dhe një të dorëhiqet. Kështu, kryetari Broci është shkarkuar nga KPK-ja, së bashku me anëtaren e Kushtetueses, Xhoxhaj etj.. Momentalisht, KED është funksional, pasi ka gjashtë anëtarë së bashku me zëvendësuesit. Ligji përcakton se duhen të paktën pesë anëtarë të KED që Këshilli të mblidhet dhe të marrë vendime.
Tashmë, kryetare e KED është Vitore Tusha, e cila është anëtarja më e vjetër nga Kushtetuesja në mungesë të kryetarit. Problemi me KED momentalisht qëndron në faktin që vetëm dy anëtarë kanë kaluar vetingun, ndërsa katër të tjerë janë në pritje dhe pesë janë shkarkuar e një është dorëhequr. Nëse anëtarët që presin të kalojnë vetingun ngelin në proces, atëherë zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të shtyhej deri sa të zgjidhen anëtarë të tjerë të KED. Po edhe përzgjedhja e anëtarëve të rinj duket se e vendos sërish reformën në një spirale.
Nga 13 kandidatë të KED-it të ardhshëm, që duhet të marrë mandatin në janarin 2019, katër janë shkarkuar dhe një është dorëhequr, tre janë rikonfirmuar dhe pesë janë në pritje. Nëse kandidatët e rinj mbesin në veting, atëherë do të duhet që i gjithë procesi i hartimit të kandidatëve të rinj të nisë nga e para.