Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, ka vizituar dje Shqipërinë. Ajo ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, po ashtu edhe me presidentin Ilir Meta.
Nga konferenca e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, e pyetur nëse “Ballkani i Hapur” është një mënyrë për të stabilizuar rajonin, ajo tha se kjo nismë duhet që të ecë brenda procesit të Berlinit.
Presidentja e Komisionit Europian, tha se çfarëdo iniciative që është brenda procesit të Berlinit mirëpritet prej nesh. Ndër të tjera, ajo u shpreh se procesi i Berlinit ka nisur të funksionojë përmes integrimit të një tregu të përbashkët, por se mund të ketë edhe iniciativa rajonale. “Keni angazhimin tonë që ta shtyjmë procesin e Berlinit para. A mund të ketë iniciativa të tjera? Ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të respektojnë objektivat e përbashkëta të integrimit të këtij tregu të përbashkët rajonal.
Iniciativat duhet të jetë gjithëpërfshirëse, vizionare për të ardhmen dhe duhet të respektojnë objektivat e përbashkëta. Kështu do të kenë edhe mbështetjen time të plotë”, tha presidentja e Komisionit Europian. Ndër të tjera, Von der Leyen, foli edhe sa u përket negociatave me Bashkimin Europian.
Ajo tha, se synimi i saj është që brenda këtij viti të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë. “Ne kemi punuar fort për çeljen e kësaj konference të parë qeveritare dhe ritheksoj se ju i keni bërë detyrat tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që të kapërcejmë ato vështirësi e pengesa. Shpresoj që ne të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare para fundit të 2021. Ky është synimi im”, tha ajo. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, gjatë konferencës, tregoi edhe përparimin që ka bërë Shqipëria në reformën në drejtësi dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ajo u shpreh, se vendi ka bërë shumë përparim sa i përket reformës në drejtësi. Presidentja e Komisionit Europian theksoi, se pret akoma rezultate. “Dëshiroj ta përgëzoj Shqipërinë për përparimin që ka pasur me reformën në drejtësi. Sigurisht që duhet të drejtojmë sytë drejt së ardhmes, por duhet parë dhe e shkuara. Ky ka qenë sukses i madh dhe e di që po punoni për luftën e pastrimit të të ardhurave. Pres punë të tjera në këtë drejtim”, tha ajo.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen. Gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e KE, kryeministri Edi Rama, ka përsëritur edhe një herë se nisma “Ballkani i Hapur” nuk konkurron procesin e Berlinit, por ecën me një ritëm më të shpejtë që i duhet rajonit.
Ai theksoi, se BE nuk zgjohet çdo ditë me mendjen tek procesi i Berlinit. “Ky nuk është një proces i dytë që konkurron me të parin, apo që aq më pak bien ndesh me të parin. Ballkani i hapur mund të quhet “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”, procesi i Berlinit është iniciuar nga Merkel dhe përqafuar nga BE dhe KE, por nuk ecën dot me ritmin që ne duam. Procesin e Berlinin e udhëheqin miqtë dhe partnerët tanë që kanë njëmijë halle të tjera dhe nuk çohen me mendjen si eci procesi i Berlinit sot në Ballkan”, tha Rama.