Nuk ka dakordësi mes Kuvendit dhe Presidencës për plotësimin e vakancave për në Gjykatën Kushtetuese. Prej disa ditësh ka nisur një konflikt mes dy institucioneve, pasi presidenti nuk po zgjedh anëtarin e dytë që i takon. Fillimisht u emërua Besnik Muçi dhe teksa pritej emërimi i emrit tjetër, Presidenca ka dalë me mendimin se emri i dytë duhet të zgjidhet nga Kuvendi, pasi kështu e përcakton ligji.
Meta ka afat deri në datën 8 nëntor të zgjedhë emrin e dytë, por pritet që ai mos e bëjë një gjë të tillë dhe të nisë një luftë të fortë me Kuvendin dhe KED. Dje u mblodh Komisioni i Ligjeve, ku miratoi me shumicë votash dy raportet për vakancat e shpallura nga Kuvendi për Gjykatën Kushtetuese në 12.02.2018 dhe 04.03.2019, pasi anëtarët u shkarkuan nga vetingu. Një javë më parë, kandidatët zhvilluan një seancë dëgjimore, ku paraqitën para deputetëve të komisionit arsyet pse po kandidonin për një post të tillë. Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji janë emrat që priten të votohen javën e ardhshme në seancën plenare, pasi Besnik Muçi u dekretua pak kohë më parë nga presidenti.
Goditje Metës
Shtyrja e votimit javën që vjen është një goditje ndaj presidentit. Meta kërkoi nga Kuvendi që sëpaku një emër të zgjidhej para datës 8 dhe kështu i jepte të drejtë atij të zgjidhte emrin e dytë. Ligji e përcakton se anëtari i parë zgjidhet nga presidenti, i dyti nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë. Meta pretendon se është radha e Kuvendit të zgjedhë emrin e radhës, duke qenë se ai emëroi Muçin. Por mazhoranca e ka rrëzuar skemën me argumentin se Kuvendi ka afat deri më 16 nëntor dhe duke qenë se nuk ka kandidatë nga ana e Gjykatës së Lartë, atëherë radha nuk mund të ndiqet. Por Meta pretendon se nëse bën emërim para Kuvendit shkel Kushtetutën dhe pritet të bëjë një manovër, duke shkelur në një formë tjetër Kushtetutën. Gazeta tha dje se Meta pritet të anulojë vakancën e datës 4 mars. Pra pritet të nxjerrë një dekret që zhdekreton dekretin e parë.
Por kjo do shtonte shkeljet e tij. Venecia e tha qartë se presidenti nuk ka kompetencë të zhdekretojë. Por duke qenë se mungon Kushtetuesja, Meta pritet të thellojë gamën e shkeljeve me të vetmin qëllim, shtyrjen e shkarkimit. Nëse shihen Kushtetuta dhe ligji për organet e drejtësisë, në asnjë nen nuk i lind e drejta presidentit që të anulojë garën. Këtë Meta mund ta bënte pa dërguar emrat në KED, por tani është shkelje e pastër ligji e Kushtetute. Sipas ligjit, nëse Presidenti nuk zgjedh asnjë emër, KED emëron të parin në listë. Meta këtë do të shmangë dhe do shfrytëzojë historinë e zhdekreteve.
Diskutimet të “Ligjet”
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku u miratuan dy raportet për vakancat në Gjykatën Kushtetuese, deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Ferhati u shpreh se KED ka paraqitur në komision dokumentacion të plotë dhe pa asnjë mungesë ligjore. Ferhati deklaroi se me miratimin e raporteve do i propozohet Kuvendit që të votojë një nga emrat e kandidatëve për secilën vakancë. “Në bazë të parashikimeve ligjore si Komisioni i Ligjeve dhe seanca plenare e Kuvendit ka më shumë rolin e noterit, sepse nuk i hyn thelbit të vendimmarrjes së KED-së.
Nga shqyrtimi i dokumenteve që ka paraqitur KED, dokumentacioni është i plotë nuk ka asnjë mungesë. Ne duhet të miratojmë raportet duke i propozuar Kuvendit votimin e njërit prej kandidatëve të secilit grup nëse nuk do të arrihet një shumicë e cilësuar, i pari në listë do të jetë anëtari i Gjykatës Kushtetuese”, tha Klotilda Ferhati. Ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja u shpreh se ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për opinionin publik, por edhe për debatin politik. Por duket se ky ishte një mesazh i koduar për presidentin Ilir Meta, pasi për këtë të fundit mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit nga detyra. “Me miratimin e raportit të dytë e mbyllim mbledhjen, raportet me dokumentet i përcillen Kuvendit për votim duke respektuar afatin 30-ditor të përcaktuar nga ligji për votimin për anëtarë të Kushtetueses. Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që do të duhet të rifillojë së shpejti duke pasur në konsideratë numrin e çështjeve që presin të gjykohen kanë një rëndësi të madhe për opinionin publik dhe debatin politik”, tha Manja./Elisjeda Kiko