Meta e ka kthyer Presidencën në një zyrë punësimi për të besuarit e tij dhe militantët e LSI. Gazeta “SOT” ka treguar disa herë fakte mbi ata që ka futur kreu i shtetit në Presidencë nga ku rezulton se disa janë vërtet profesionistë, por disa të tjerë janë militantë të LSI.
Por ajo që bie në sy është se në Presidencë figurojnë të punësuar dy kandidatë të skualifikuar nga gara për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Meta dërgoi në Kuvend 4 emra (Vitore Tusha, Bahri Shaqiri, Petraq Milo, Arben Shehu). Mazhoranca zgjodhi kandidatin e katërt, ndërsa 3 të tjerët u rrëzuan njëri pas tjetrit.
Por teksa Vitore Tusha është e besuara e Metës në KED, dy emrat e tjerë (Bahri Shaqiri e Petraq Milo) janë këshilltarë të tij. Zoti Milo është një figurë vërtet e nderuar në fushën e ekonomisë dhe askush nuk e vë në diskutim këtë. Ai është bërë këshilltar ekonomie në vend të Majlind Lazimit, kushëri i Monika Kryemadhit.
Presidenti sigurisht që ka marrë pas vetes një person me shumë përvoja e grada, por i vetmi problem është se KLSH presupozohet të jetë institucion i pavarur dhe fakti që ai emërohet në Presidencë ngre dyshime mbi paanësinë e KLSH nëse ai do ishte emëruar. Po ashtu ngre dyshime dhe për kryetarin aktual.
Punësimet e LSI
Një tjetër debat i ditëve të fundit ka qenë shfaqja në media e një vajze, e cila do të jetë ndihmësja e Tedi Blushit, zëdhënësi i presidentit. Bëhet fjalë për Sara Lleshin, e cila ashtu si Blushi, reagon në rrjetet sociale kundër qeverisë. Në redaksinë e gazetës kanë mbërritur disa të dhëna dhe fakte se kemi të bëjmë me një përfaqësuese të LSI.
Ajo ka lindur në vitit 1992 në Burrel, studimet e larta i ka kryer për Punë Sociale, ndërsa rezulton aktiviste e LSI. Nëse futemi te faqja e LRI aty është gjithë karriera e saj, ku thuhet se është aktivizuar me LRI që në fakultet. Edhe te gazeta “Integrimi” rezultojnë disa artikuj ku ajo sulmon Partinë Socialiste.
Por kjo nuk duhet të përbëjë çudi pasi kemi shumë emra të tjerë nga LSI që punojnë aty. Disa janë pjesë e Shërbimit Civil, por ka shumë të tjerë në prapaskenë që kanë rolin këshilltarit dhe janë militantë të flaktë të LSI. Sa i takon atyre të deklaruarve: Sekretare e Përgjithshme është Ornela Zonja. Kjo e fundit vjen nga radhët e LSI. Në vitin 2013 ka kandiduar për deputete në zonën e Fierit, ndërsa ka mbajtur dhe postin e zëdhënëses në LSI.
Por ajo nuk është e vetmja e punësuar në Presidencë që vjen nga LSI. Këshilltar Ekonomik i Metës para emërimit të Petraq Milos ishte Majlind Lazimi, kushëri i Monika Kryemadhit dhe anëtar i LSI. Po ashtu, këshilltare për Çështjet Sociale është Brunilda Paskali, që rrjedh po nga LSI. Një tjetër emër është Bahri Shaqiri, këshilltar për Sigurinë. Ai ka qenë anëtar i Kryesisë së LSI.
Po ashtu dhe këshilltari juridik Bledar Dervishi një ish i arrestuar për korrupsion, vjen nga radhët e LSI. Pastaj kemi dhe emra që vijnë nga radhët e PD, si përshembull Ilda Zhulali, e bija e Safet Zhulalit, këshilltare për integrimin. Ka qenë zyrtare e Ministrisë së Jashtme dhe është bashkëshortja e Aldo Bumçit. Një tjetër emër është Shemsi Prençi. Ishte pjesë e policisë në kohën e PD, ndërsa në mandatin e parë të PS drejtoi Emergjencat Civile. Pas konflikteve me të majtën u bashkua me presidentin. Pra duket se Presidenca është kthyer në zyrë punësimi për të papunët e militantët.