Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mohon që vendimarrja e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar lidhen me sigurimin e një vizë në SHBA sikundër edhe pretendohet.
Në një intervistë televizive ai thotë se Berisha nuk i la rrugë tjetër përballë presionit amerikan pas shpalljes non grata nga DASH.
A e shiti Lulzim Basha Sali Berishën për një vizitë në SHBA, pasi ka disa vite që nuk shkon për vizitë zyrtare?
Bardhi: Basha ka shkuar dhe do të shkojë në SHBA sa herë të jetë e nevojshme për çështjet e tij të punës apo për çështje në interes të Shqipërisë dhe të demokratëve.
Nuk ka patur dhe nuk do të ketë shitje të asnjë demokrati, ka patur dhe do të ketë gjithmonë vendosmëri për të mbrojtur interesin e PD dhe interesin e demokratëve.
Në muajin maj qeveria e SHBA, DASH, e ka shpallur non grata liderin historik të PD, një vendim që ka tronditur çdo demokrat, sidomos pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, ishte gjëja e fundit që mund të prisnim.
Pas këtij vendimi ka pasur një përqendrim të kontakteve nga zyrtarët më të lartë të SHBA që i kanë kërkuar qartësisht PD distancimin dhe përjashtimin nga partia të zotit Berisha.
Në 3 muaj Basha ka bërë të gjitha përpjekjet qoftë me palën amerikanë qoftë me Berishën për të gjetur një zgjidhje që mbronte dinjitetin e Berishës dhe nuk cenonte interesin e demokratëve apo nuk cenonte marrëdhëniet strategjike të PD me SHBA.
Për fat të keq në tre muaj qëndrimi i Berishës ka qenë konstant se atij nuk i intereson fati i PD, interesi i demokratëve dhe PD, më këtë çështje i intereson vetëm vetja e tij apo dinjiteti i tij.
Në këtë moment përgjegjësia e kryetarit të PD ishte të mos shiste interesin e demokratëve, interesin e PD, vetëm që të mbronte dinjitetin e Berishës.