Pas dy seancave radhazi në Apelin e GJKKO, sot në 10:00 pritet të shpallet vendimi për ankimin e kryebashkiakut Erion Veliaj kundër masës arrest me burg. Veliaj kërkon masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore, ndërsa sot shprehet gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet ei gjyqtari që ka dënuar Tahirin.
Lirinë kërkon edhe biznesmeni Elman Abule, në qeli për pastrim parash. Ndërkohë, 3 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha kërkojnë heqjen e masës së sigurisë detyrim paraqitjeje.
Çfarë ndodhi dje në seancë?
Seanca e cila zgjati afro 3 orë, nisi me fjalën e avokatëve të Veliajt që thanë qëndrimin e tyre në lidhje me provat e reja që u paraqitën nga SPAK të martën, disa biseda të përgjuara gjatë kohës që Veliaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit. Avokati Artur Selmani deklaroi në gjykatë, se përgjimet telefonike ku Veliaj fliste me familjarët e tij nuk mund të merren si kërcënim apo intimidim për askënd, dhe nuk mund të përdoren për të rënduar pozitën e kryebashkiakut, i cili kërkon një masë më të butë sigurie, edhe përkundrejt garancisë pasurore. Avokati Artur Selmani i mëshoi faktit se nuk ka asnjë rrezik që në liri, Veliaj të prishë provat, të arratiset apo të intimidojë gjyqtarët.
Në të njëjtën linjë me avokatin ishte edhe vetë kryebashkiaku Veliaj, i cili tha në seancë se në përgjimet nuk ka asgjë sekrete, teksa kërkoi seancë të hapur për mediat.