Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Si fillim teksa ishte i ftuar në një studio televizive, Klosi foli për lajmin se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të vizitojë Tiranën më 16 Shkurt.
Edhe pse është ende duke u punuar në finalizimin e detajeve të kësaj vizite, e para për Blinken në Shqipëri, prej vitit 2021 kur ai mori drejtimin e diplomacisë amerikane, Klosi thotë se amerikanët kanë plane për Shqipërinë. Sipas tij, partnerët tanë para demokracisë kërkojnë siguri dhe siguria nuk vjen me demokraci.
Ai thotë se SHBA do të shkulë nga rrënjët korrupsionin në Shqipëri. Si shembull që siguria e vendit ka qenë në dorë të të korruptuarve, ai ka marrë Sali Berishën, i cili vrau 4 njerëz të pafajshëm në Bulevard për t’i treguar ndërkombëtarëve se ai është “Zoti” i Shqipërisë. “Blinken nuk ka qenë ndonjëherë në Shqipëri dhe për këtë po vjen. Ky është opinioni im personal, ai është takuar me kryeministër me ministrin e jashtëm dhe tani po vjen këtu. Partnerët tanë para demokracisë kërkojnë siguri dhe siguria nuk vjen me demokraci.
Berisha i vrau 4 vete atje për ti treguar ndërkombëtarëve se unë jam i zoti i këtij vendi dhe tha se unë sakrifikoj edhe njerëz për të vendosur rendin në vend. Korrupsioni ka dorë në sigurinë e vendit, por ka edhe fenomene të tjera më të rëndësishme për sigurinë e vendit. Korrupsioni shpërndan ca para ndryshe nga ato që duhet që të shpërndaheshin”, deklaroi ai.
Prapaskenat nga takimi i Bardhit në Uashington
Më tej ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi foli edhe për vizitën e Gazment Bardhit në Uashington, ku zhvilloi dhe takim me dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Sipas Klosit, amerikanët donin t’i tregonin Bardhit opinionin e tyre për situatën në Shqipëri. Por Klosi nënkupton se Bardhi është përballur me surpriza të hidhura, pasi menjëherë pas kthimit nga Uashingtoni, ai shkoi për herë të parë poshtë shtëpisë së Sali Berishës, i cili sulmon nga banesa e tij SHBA, si fajtorë për situatën në të cilën është katandisur.
Ndërkohë Klosi komenton dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Amerikanët e kanë vendin si një aleat të rëndësishëm, dhe shqiptarët në këtë rajon janë bërë faktor. Amerika qëllim kryesor ka të ketë aleat një shtet të fortë dhe të funksionojë dhe pa korrupsion. Unë jam që të jetë edhe Diaspora në zgjedhje sepse jetojnë në vende më të zhvilluara se i yni. Bardhi është faktor dhe donin ti tregonin opinionin e tyre për situatën në Shqipëri dhe mesa duket atij si ka pëlqyer ajo që i kanë thënë ata dhe prandaj shkoj tek Berisha. Në të gjitha këto reforma që janë bërë janë bërë para zgjedhjeve dhe janë bërë me ngut.
Kodi zgjedhor thuhet se sikur nuk influencon në rezultatin e zgjedhjeve por mua edhe influencon. Asnjëherë palët nuk janë marr vesh. Rama tha mua nuk më intereson ky kod sepse jam mirë me këtë kod, por po e bënë për të të dhënë mesazh që ne i dëgjojmë edhe palët e tjera. Ky kod dhe kjo mënyrë e heqjen së kryeministrit, që ndodhën në 2008 kishin për subjekt fitoren e dy të mëdhajave dhe të mos dilte nga kjo dyshe fitorja dhe tani janë krijuar shumë parti dhe kërkojnë që kjo të ndryshojë. Ishalla ndryshon për disa gjëra atë rëndësishme, por duhet që të kenë të qartë diçka, që vendosin të mëdhenjtë”, nënvizoi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve e shohin korrupsionin si problem serioz, zbardhet sondazhi i Institutit Ndërkombëtar Republikan, qytetarët kanë besim vetëm tek SPAK
Instituti Ndërkombëtar Republikan publikoi të martën një sondazh kombëtar mbi Shqipërinë, ku qytetarët shprehin një besim të lartë tek Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për sondazhin e realizuar nga qendra studimore IDRA, u pyetën afro 1 mijë e 800 qytetarë mbi 18 vjeç në të gjithë territorin. Afro 86 përqind e të anketuarve mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është një problem serioz.
Ndërsa 69 për qind e tyre pohojnë se kanë besim që SPAK-u mund ta bëjë punën e vet pa ndikime politike. Ata pohuan se korrupsioni më i përhapur në bashkitë e tyre është vjedhja ose keqmenaxhimi i qëllimshëm i fondeve, veprimet për interes vetjak, ryshfetet, klientelizmi në kurriz të meritokracisë dhe mosndëshkimi i keqbërësve.
“Është inkurajuese të shohësh që shumica e popullit shqiptar mbështesin përpjekjet anti-korrupsion, që po bëhen në vend. E ardhmja e Shqipërisë bazohet në suksesin e luftës kundër korrupsionit, i cili po sfidon veçanërisht klimën politike të polarizuar skajshëm në vend”, tha Paul McCarthy, drejtori i IRI-it për Europën në deklaratën për shtypin, shkruan “Zëri i Amerikës”. Në sondazhin e publikuar nga IRI, pjesa dërrmuese e të anketuarve (63 për qind) renditin si problemet më të rëndësishme në bashkinë e tyre ekonominë, kostot e jetesës (çmimet e larta) dhe papunësinë (40 për qind e tyre), si dhe më tej korrupsionin dhe migracionin.
Pjesa më e madhe e tyre (mbi 60 për qind) pohuan se këto shqetësime kryesore do të ishin përcaktuese në votën e tyre për këshill bashkiak, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Afro 60 për qind e të anketuarve pohuan se vendi po qeveriset në funksion të interesave të grupeve të caktuara, ndërsa 38 për qind thanë se qeverisja u shërben interesave të shumicës së qytetarëve. Afro 53 për qind e tyre u shprehën pesimist mbi pyetjen nëse brezi i të rinjve të sotëm ka një të ardhme në Shqipëri, ndërsa 43 për qind shprehen optimist për të ardhmen.
Megjithatë, rreth 58 për qind e të anketuarve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur dhe 39 për qind se ai po shkon në drejtimin e gabuar. Rreth 67 për qind e të anketuarve janë shprehur se e ardhmja do të jetë më e mirë, pjesa tjetër janë mosbesues dhe më frikë nga e ardhmja.
Rreth 54 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e bashkive dhe kryebashkiakëve përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit, ndërsa afro 44 për qind ishin të pakënaqur. Ata shprehen edhe për komunikimin e pakët që kanë me pushtetin vendor pas zgjedhjeve si me bashkiakët, këshilltarët dhe administratën bashkiake.
Afro 90 për qind e të anketuarve mendojnë se këshilltarët socialistë dhe opozitarë duhet të komunikojnë më shumë me qytetarët, por janë të ndarë në dysh në perceptimin nëse këshillat kanë më shumë apo më pak pushtet krahasuar me kryebashkiakët. Në sondazh, 87 për qind e të anketuarve mendojnë se qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit duhet të kenë mundësinë që të votojnë në Shqipëri.
Rreth 60 për qind e të anketuarve pohojnë interesimin e tyre të lartë për lajmet, kryesisht nga televizioni dhe mediat sociale, ndërsa më të besueshme për ta janë televizionet me licenca kombëtare. Afro 90 për qind e tyre pohojnë se gjithësesi zotërojnë një telefon të lidhur me internetin, ku përdorin thuajse përditë aplikacione informacioni.