Fokusi kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është te Byroja Kombëtare e Hetimit. Edhe pse amerikanët kanë investuar fuqishëm për të gjithë procesin e reformës në drejtësi, organi ku ata do të kenë dorë të fortë është pikërisht BKH.
Ky organ do të luajë rolin e policisë gjyqësore për SPAK dhe do jetë ai që do të zbulojë aferat e pushtetarëve të korruptuar. SPAK do ketë në përbërje gjyqtarë e prokurorë, ndërkohë në varësi të Prokurorisë Speciale do jetë Byroja e Hetimit.
Por BKH shihet si çelësi i luftës antikorrupsion, pasi vëmendja e saj do jetë vetëm te pushtetarët e korruptuar dhe objekt i hetimit janë që nga presidenti e kryeministri, te gjyqtarët dhe prokurorët apo anëtarët e KLGJ dhe KLP.
Gazeta ka siguruar draftplanin e SHBA mbi fondet që do të jepen përmes USAID për shtet të ndryshme të botës vitin që vjen. SHBA do japë rreth 4 milionë dollarë për Shqipërinë, por nga këto 1.5 do të shkojnë për çështjet e sigurisë dhe reformën në drejtësi.
Në raport përmendet Byroja Kombëtar e Hetimit dhe theksohet se SHBA do të punojë fort për ngritjen e saj dhe trajnimin e stafit. “Programi do të forcojë kapacitetet e agjencive ligjzbatuese dhe do të forcojë profesionalizimin e institucioneve për vazhdimin e reformave. Programi do të rrisë profesionalizimin dhe pavarësinë politike të prokurorëve e gjykatësve me anë të trajnimeve dhe vendosjes së mekanizmave të mbikëqyrjes.
Asistenca do të përforcojë kursin e rritjes së kapaciteteve të reformës në drejtësi, duke forcuar institucionet e reja të drejtësisë, duke përfshirë njësinë e Prokurorisë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për të hetuar me sukses çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, thuhet në dokument.
Kjo tregon qartë se amerikanët duan që të ngrihen sa më shpejt Prokuroria Speciale dhe Byroja e Hetimit. Sinjalet janë se deri në vjeshtë prokuroria do jetë gati dhe më pas i hapet rruga Byrosë. Sipas ligjit, kjo e fundit do ngrihet pasi të jetë zyrtarizuar Prokuroria e Posaçme, pasi janë anëtarët e kësaj të fundit që përzgjedhin anëtarët e Byrosë.
Roli i FBI
Byroja Kombëtare e Hetimit do jetë në duart e FBI. Një ekspert i saj do qëndrojë për vite të tëra aty dhe do asistojë, ndërkohë që SHBA do japë shumë pajisje speciale që do të ndihmojnë në hetime. Për rolin e FIB ka dhënë detaje gjatë miratimit të ligjeve të reformës, eksperti i OPDAT, Jon Smibert. “Kjo është pjesë e pritshmërisë, që SHBA dhe BE ka pasur për formimin e BKH, sidomos për sa i përket financimit të SHBA, ky komision do të ndihmojë.
E di se një prej personave do të jetë nga FBI, atashe ligjor dhe përfaqësues i ICITAP. Kështu që Komisioni i Rishikimit apo Komisioni i Monitorimit, sido që ta quani këtë… Propozimi pra, ka qenë që të japë ndihmën e vet në drejtimin dhe të japë një mbikëqyrje ndërkombëtare mbi BKH”, ka thënë ai.
Sa i takon bashkëpunimit me FBI, eksperti ka thënë se një marrëveshje specifike është e pamundur të arrihet, por do operohet përmes marrëveshjeve aktuale. “Ju, nëse doni një marrëveshje ndërkombëtare vetëm nga kjo e kaluar, e miratuar nga senati në SHBA, kjo gjë nuk ndodh. Nëse ju i doni paratë nga FBI-ja, që të jenë këtu të pranishme, dhe FBI-ja të ofrojë ndihmën e saj, atëherë hapja e këtij procesi është e nevojshme dhe pjesë e këtyre marrëveshjeve dypalëshe, që janë të nënshkruara mes Departamentit të Shtetit dhe Shqipërisë. Mbase këto do të jenë brenda marrëveshjes kuadër, që ka me Bashkimin Europian, me PAMECA-n apo me të tjera”, ka shtuar ai. Pra sinjalet janë të qarta se sapo të ngrihet Byroja, do jenë amerikanët ata që do marrin në dorë luftën kund korrupsionit. /Kliti Topalli