Kur u ngritën organet që po kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët, një hapësirë u la edhe për qytetarët që të denoncojnë aferat e njerëzve të drejtësisë dhe të ndihmojnë në spastrimin e sistemit nga të korruptuarit. Një e drejtë e tillë është e përcaktuar në nenin 53 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Por kur procesi i vetingut ecën me ritme të shpejta dhe më shumë se 100 gjyqtarë e prokurorë kanë kaluar në sitë, vihet re se ankesat e qytetarëve më së shumti janë anashkaluar.
Gazeta ka arritur të sigurojë raportin e plotë të hartuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ka bërë një përmbledhje të të gjitha denoncimeve që janë regjistruar pranë këtij organi që nga tetori i vitit 2017. Nga përllogaritjet e bëra nga gazeta, në total gjatë 2017, 2018 dhe 2019 janë depozituar 3.556 ankesa nga qytetarët për gjyqtarët dhe prokurorët. Por nga këto, vetëm një numër shumë i paktë denoncimesh është pranuar nga komisionerët e vetingut dhe kanë shërbyer si indicie për ta që të kryejnë hetime më të thelluara. Nëse kthehemi tek seancat dëgjimore të mbajtura në KPK apo edhe tek vendimet e zbardhura, vihet re se qytetarët më së shumti i kanë denoncuar gjyqtarët dhe prokurorët për mungesë profesionalizmi në trajtimin e çështjeve të ndryshme apo edhe për përfshirjen në afera korrupsioni. Ka patur edhe denoncime për pasuri të padeklaruara të njerëzve të drejtësisë, por në pjesën më të madhe të rasteve këto ankesa janë anashkaluar. Në fakt një pjesë e qytetarëve i kanë dorëzuar denoncimet pa i përmbushur të gjitha kriteret, pra të paplota, por ka edhe nga ato denoncime që kanë qenë të sakta dhe sërish nuk janë marrë parasysh. “Denoncim në emër të shtetases M. N. N., e cila denoncon subjektin e rivlerësimit për trajtim çnjerëzor dhe për paaftësi profesionale. Denoncuesja pretendon se si rezultat i ndalimit të saj nga policia gjyqësore ka pësuar pasoja të rënda, pasi mungesa e saj në banesë, pranë fëmijës së mitur, në kushtet kur nuk u mundësua lënia e tij pranë asnjë të afërmi (në denoncim nuk referohet se ku ka qëndruar) i ka shkaktuar shqetësime të rënda. Komisioni, në analizë të provave të administruara gjatë hetimit çmon se: denoncimi nuk përmban fakte apo rrethana që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriterin e vlerësimit profesional, të subjektit të rivlerësimit”, thuhet në një prej vendimeve të zbardhura nga KPK.
Bilanci i denoncimeve
Numri më i ulët i ankesave është shënuar në tetor, muaj kur komisioni i vetingut sapo nisi punën dhe ku janë dorëzuar vetëm dy të tilla. Denoncimet e njerëzve të thjeshtë kanë arritur kulmin në muajin dhjetor të vitit 2017, kohë kur janë dorëzuar plot 321 ankesa. Muaji janar i vitit 2018 ka sjellë pranë KPK të tjera ankesa për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në total 187 të tilla. Më të pakta denoncimet kanë qenë në muajin gusht, me vetëm 106 të tilla. Ndërsa muaji me numrin më të lartë të ankesave gjatë vitit 2018 është korriku, gjatë të cilit janë depozituar plot 224 denoncime. Ai pasohet nga muaji prill i vitit 2019, kur janë shënuar 227 denoncime. Ndërkohë, në qershor dhe korrik të këtij viti, kur janë kaluar në skaner kandidatët për në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, ka pasur 349 denoncime në total. Në fakt, muaji korrik është edhe muaji i fundit gjatë të cilit janë regjistruar ankesa të qytetarëve sepse gushti është muaj pushimesh për komisionerët e vetingut./ Mimoza Ibra