Afera me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” duket se ka tmerruar dhe madje po lë pa gjumë familjen e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në korridoret e drejtësisë dhe politikës flitet se në vjeshtë SPAK do të bëjë një goditje të fortë për këtë megaafër dhe si duket të gjithë janë shqetësuar. Më i shqetësuari duket se është dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili ka qenë dhe përfituesi kryesor i kësaj afere. Dje, me anë të një postimi në rrjetet sociale, Jamarbër Malltezi zbuloi se ka bërë një padi ndaj Taulant Ballës, duke e akuzuar për shpifje mbi padinë që ky i fundit ka bërë për kompleksin në fjalë.
Zoti Balla është ai që e ka çuara në SPAK dhëndrin e “non-gratës”, ndërkohë që ky i fundit tenton të justifikojë gjithë aferën përmes një reagim amatoresk, duke dhënë sinjale se ai dhe familja Berisha në tërësi janë alarmuar nga tringëllima e prangave. “Kallëzova penalisht Taulant Ballën për veprën penale “Kallëzimi i Rremë” sipas nenit 305 të Kodit Penal.
Para 3 vitesh Taulant Balla bëri kallëzim në SPAK kundra thuajse gjithë ish-qeverisë së PD dhe disa personave private. Në kallëzimin e tij, shërbëtori i Edit pretendoi se privatizimi i klubit Partizani ishte tjetërsim i paligjshëm i pronës shtetërore se toka ishte shpronësuar nga Italia dhe se privatizimi ishte i paligjshëm. Meqenëse kanë kaluar 3 vjet dhe Balla nuk është marrë në hetim për kallëzim të rremë si parashikon ligji, vendosa të ngre padi ndaj tij për kallëzim të rremë pranë prokurorisë speciale”, shkroi ai.
Malltezi theksoi se dokumentet provojnë se toka ku u vendosen ish klubet iu kthye pronareve të ligjshëm me Ligjin e Kthimit të Pronave. “Padinë time e bazoj se nuk ekziston asnjë shkelje as në procesin e kthimit të pronës tek pronarët e ligjshëm dhe as në atë të privatizimit të objekteve të ndërtuara në tokën e ish- klubit të futbollit dhe ish klubit shumësportësh Partizani.
Dokumentet provojnë qartë se toka ku u vendosen ish klubet iu kthye pronareve të ligjshëm me Ligjin e Kthimit të Pronave, toka nuk ishte shpronësuar nga Italia dhe sipas ligjit të kthimit të pronës tek pronarët e ligjshëm, privatizimi i objekteve të ndërtuara mbi truallin privat ishte i detyrueshëm të bëhej, me të drejtë parablerje për pronarët e tokës”, deklaroi ai.
Maltezi: Balla është shërbëtor i Ramës
Ndërkohë, Malltezi theksoi se pas dorëzimit të kallëzimit Balla më vonë deklaroi se paraqiti në SPAK dokumentet sikur toka tek ish klubi sportiv partizani ishte shpronësuar nga italianët. “Shërbëtori i Edit në momentin e bërjes së kallëzimit penal ishte tërësisht në dijeni të fakteve se nuk kish asnjë vepër penale, por në mënyrë të qëllimshme, për përfitime politike dhe në kundërshtim me përmbajtjen e akteve të cilat ai i referohet në kallëzimin e tij paraqiti pranë SPAK kallëzim të rremë.
Pas dorëzimit të kallëzimit të tij, më vonë ai deklaroi se paraqiti në SPAK dokumentet sikur toka tek ish klubi sportiv partizani ishte shpronësuar nga italianët. Kjo ishte një mashtrim dhe shpifje tjetër pasi letrat që paraqiti ishin për 9 familje krejt të tjera dhe mijëra metra larg, por shpifja është natyra e tij. Taulant Balla mashtroi kur pretendoi se pronarët denbabaden ishin bërë pronarë të 28,000 m2 toke përmes privatizimit ndërkohë që në fakt toka ju rikthye pronarëve legjitimë me ligjin e kthimit të pronës dhe jo me privatizim”, shprehet ai.
Privatizimi i klubit
Nga ana tjetër, ai theksoi se Balla mashtroi kur deklaroi se “Klubi Sportiv Partizani” ishte vlerësuar në masën 10,109,000 lekë.“Privatizimi i klubeve të futbollit dhe shumësportësh Partizani kishte të bënte jo me token (pasi qe ishte e pronareve private), por vetëm me ndërtesat e ndërtuar në tokë të pronarëve, të cilat në kohën e privatizimit ishin krejtësisht jashtë funksionit, pasi siç provohet nga inventarët e Bashkisë Tiranë të firmosur personalisht nga Edi Rama dhe drejtorë të tij ishin të zëna forcërisht.
Taulant Balla mashtroi publikisht në kallëzimin e tij kur deklaroi se “Klubi Sportiv Partizani” ishte vlerësuar në masën 10,109,000 lekë (afërsisht 100 mijë USD). Kjo pasi Balla me qëllim paraqiti pjesëzën për të tërën dhe mashtroi për vlerën e privatizimit. Së pari, Klubi Sportiv Partizani u nda pas viteve ’90 në dy pjesëza: klubin e futbollit dhe klubin shumësportësh Partizani”, tha ai.
Sa vite burg rrezikon
Sakaq, ai u shpreh se Taulant Balla ka konsumuar veprën penale “Kallëzim i Rremë” dhe rrezikon deri në 7 vite burg.“SPAK sot disponon të gjithë dokumentet që provojnë se kallëzimi i Taulant Ballës ishte i rremë.
Për të gjithë këto shpifje të bëra qoftë publikisht dhe qoftë të depozituara në SPAK, kam paraqitur një padi penale në SPAK për shtetasin Taulant Balla që ka konsumuar veprën penale “Kallëzim i Rremë” sipas Nenit 305 të KP që parashikon deri 7 vite burg. Gjej rastin t’i kërkoj SPAK që të demonstrojë që nuk i druhet kostumit të përkohshëm të pushtetit të Edi Ramës dhe Taulant Ballës, por vetëm ligjit dhe shtetit të së drejtës”, nënvizoi Malltezi.