Nga Mero Baze
Sali Berisha ka gjetur një mënyrë se si të poshtërojë SHBA. Në takimet ku ai sqaron njerëzit pse është dënuar nga SHBA si familje e korruptuar, si një lider që ka minuar demokracinë shqiptare dhe ka shantazhuar sistemin e drejtësisë, sot kishte futur dhe flamuj amerikanë. Edhe pse ky është një lloj përdhunimi i simboleve të një shteti për hallet e një njeriu, nuk është gjëja më e rëndë që ka ndodhur.
Më e rënda erdhi më pas në takim.
Një emigrante shqiptare në SHBA, u shpjegoi njerëzve në sallë, se vendimi i SHBA për të ndëshkuar Berishën erdhi nga Lulzim Basha, pasi ky i fundit rrezikonte të dënohej në SHBA dhe i bindi ata në SHBA, që në vend të tij ata të dënonin Sali Berishën dhe ky ta përjashtonte pastaj nga PD.
Pas këtij sqarimi salla shpërtheu në brohoritje duke valëvitur flamujt amerikanë.
Imazhi i SHBA që u vizatua para banorëve të kënetës në Durrës, është imazhi i gjyqësorit shqiptar të korruptuar, nga ata që shkëmbejnë vendime gjyqësore me miliona nën dorë, ose ndere në natyrë.
Qetësia me të cilën një emigrante e frustruar thotë se sistemi politik dhe drejtësia në SHBA janë një dhe të pandara, dhe se drejtësia amerikane bën pazare me politikën amerikane dhe shkëmben ndëshkime për favore politike, është në të vërtetë goditja më e madhe që mund t’i japësh SHBA si armik i saj.
As talibanët, ISIS, rusët apo kinezët, apo çdo kundërshtar tjetër i madh apo i egër i SHBA, nuk ka vënë në dyshim sistemin e saj të drejtësisë. Kanë vënë herë pas here në dyshim vendimet apo strategjitë politike, ndërhyrjet në botë apo dështimet e tyre, por kurrë drejtësinë amerikane.
I vetmi që po formulon një akuzë kaq të rëndë kundër SHBA, është Sali Berisha në foltoren e tij, i cili po përdor një emigrante që ka nevojë për vëmendje, t’u tregojë disa trushpëlareve në sallë, se drejtësia amerikane është një drejtësi e korruptuar dhe e kapur nga politika, e cila shkëmben dosje, shkëmben fajtorë, dhe bën politikë me drejtësinë.
Ky vizatim i SHBA kaq poshtërues për të, nuk do të merrej seriozisht sikur kjo emigrantja t’ua tregonte shoqeve në kafe, por kur e thotë si përfaqësuese e Sali Berishës, në një sallë ku ai po përpiqet të mbrohet nga SHBA, është qartazi një dëshmi që Sali Berisha po përpiqet të poshtërojë tanimë jo më vetëm ndonjë ambasador amerikan apo ndonjë zyrtar të lartë të saj, por vetë sistemin amerikan të drejtësisë dhe sistemin politik të tyre, duke i paraqitur si të korruptuar, të kalbur dhe pa asnjë standard moral apo profesional.
Takimi i sotëm në Durrës ishte përpjekja më kurajoze e Sali Berishës për të poshtëruar SHBA, duke u përpjekur t’u shpjegojë mbështetësve të tij, se i korruptuari apo armiku real i demokracisë dhe drejtësisë nuk është Sali Berisha, por vetë SHBA. Dhe pas kësaj flamujt amerikanë u valëvitën në sallë, si një leckë për të pastruar pështymën e turpit që SHBA i ka hedh në surrat Sali Berishës.