Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka bërë një hap pas, pasi u ‘gozhdua’ për deklaratën e tij se ‘çështja çame nuk ekziston’. Sot Tsipras u tregua më i zbutur në lidhje me marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, teksa mbajti fjalën e tij në Parlamentin Evropian, ku u përqendrua te dialogu, integrimi evropian dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve në rajon. Tsipras tha se mbështet dialogun e vazhdueshëm me Shqiperinë, ndërsa marreveshjen pas 26 vitesh me Mqedoninë e konsideroi model per vendet e tjera.
Sipas kreut të qeverisë greke, marrëveshja e arritur për emrin e Maqedonisë është një model se si mund të zgjidhen mosmarrëveshjet në rajonin tonë.
“Me këmbënguljen tonë arritëm marrëveshjen historike të Prespës si dhe kemi realizuar dialogun e vazhdueshëm me Shqipërinë. Pas 26 vitesh nacionalizëm destruktiv ia dolëm të flasim me Zaev dhe të kemi një marrëveshje me diplomaci dhe pa përdorimin e forcës. Kjo marrëveshje mund të jetë një model për vendet e tjera. Të ndryshojmë kapitull duke arritur në një marrëveshje me interes reciprok, pa ndërhyrjen dhe ushtrimin e fuqisë por bazuar në diplomaci dhe dialog”, theksoi kryeministri grek.
Pjesa e parë e fjalës së Tsipras u përqëndrua tek përpjekjet e qeverisë dhe popullit grek për të kapërcyer krizën e borxheve. Kryeministri grek u shpreh optimist se vendi ia ka dalë që nga pjesë e problemit të BE-së të behet pjesë e zgjidhjes, megjithëse shumica ishin skeptikë për suksesin në fillim të mandatit qeverisës.