Zgjedhjet e 30 qershorit mund të jenë preludi përmbyllës i tranzicionit shqiptar dhe atrofizimi përfundimtar i një klase politike të korruptuar dhe të paaftë të përmbyllë misionin demokratik postkomunist. Faktori ndërkombëtar, i gjendur përballë një klase politike të papjekur dhe me deficenca kulturore për të krijuar një shtet demokratik, ka bërë ndërhyrjen më brutale të 30 viteve të fundit, duke stimuluar zgjedhjet më të pazakonta të zhvilluara ndonjëherë në një vend të dalë nga blloku komunist.
Zgjedhje pa opozitën.
Të lodhur nga paudhësitë e një klase politike të korruptuar, mafioze dhe kleptomane, faktori ndërkombëtar ka vendosur të mbyllë përfundimisht kapitullin e një odiseje kontestimesh, luftërash nëpër sheshe dhe akuzash të ndërsjellta.
Nga 1 korriku, klasa politike shqiptare do të jetë nudo përballë një drejtësie absolutisht të spastruar nga ndikimet politike. SPAK ngrihet brenda 15 korrikut, Gjykata Kushtetuese brenda gushtit hyn në eficencë dhe brenda vitit sistemi i drejtësisë do të jetë i spastruar plotësisht duke larguar mbi rreth 70 përqind të gjyqtarëve që janë pasuruar mbi vendime arbitrarisht skandaloze.
Të majtë dhe të djathtë janë të gjithë zbuluar pas 1 korrikut. SHBA dhe BE si kurrëndonjëherë kanë qenë në unison të plotë për të shkallmuar këtë klasë politike që ciklon dhe riciklon pafundësisht vetëm politikanë të korruptuar në krye të shtetit shqiptar. Zgjedhjet e 30 qershorit dhe heqja në mënyrë të dhunshme e mandateve të opozitës, ishte i gjithë një plan i studiuar mirë nga SHBA, të cilët nuk i hapën më rrugën një dialogu të ri mes palëve nën presionin e bojkotit parlamentar dhe atij zgjedhor.
Elementët e kërcënuar nga Reforma në Drejtësi të cilët janë fsheur pas dhunës të opozitës nga 16 shkurti u gjendën pa asnjë alternativë kompromisi nga faktori ndërkombëtar. Si kurrë ndonjëherë deri më sot SHBA dhe BE nuk ranë pre e presioneve të Sali Berishës dhe Ilir Metës për destabilizim të situatës në Shqipëri. Çadra e 2017 e cila mori gjysmën e qeverisë në 2017, nuk ishte shembull i mirë për amerikanët dhe as mandatet e lëna, as bojkoti dhe dhunimi i zgjedhjeve të 30 qershorit nuk bënë efekt për të marrë një marrëveshje në tavolinë për kokën e politikanëve të korruptuar.
E nesërmja e 30 qershorit është një gropë e zezë për gjithë politikën shqiptare. Shembulli se si u bënë këto zgjedhje nuk lë më shteg për asnjë forcë politike se me presion mund të lëvizin rendin kushtetues. Të gjithë ata që u munduan të qëllojnë shtetin me molotov së shpejti do përballen me kalvare të gjata në bangot e të akuzuarve.Të gjithë ata të tjerë që duke shfrytëzuar mandatet e deputetit morën zvarrë policët, ata që shfrytëzuan mandatin e marrë si kryebashkiakë penguan zhvillimin e zgjedhjeve do kenë një fat shumë të keq me drejtësinë. Ndërkohë që elementë të tjerë që luajtën me dekrete vëllavrasëse për të sjellë kaos në vend padyshim që do kenë fatin më të zi që ka parrë rrota e historisë. Deklarata e djeshme e e zyrtarit të DASH, Palmer ishte kërcënim për gjithë klasën politike shqiptare. Kosa e re e drejtësisë do presë shumë koka politikanësh sa majtas dhe djathtas. Ndërsa e djathta ka plot elementë që do kositen, deklarata e Palmer paralajmëron stuhi edhe për Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe shumë të tjerë që janë përfshirë në dosjet e prokurorisë për zgjedhjet e Dibrës dhe Durrësit. Peshkaqenët e politikës kanë filluar të dalin pak e nga pak në breg. I pari që e futi kokën në lakun e drejtësisë së re ëstë Ilir Meta. Pas kësaj radha vazhdon. Nga 1 korriku kemi të bëjmë me një Republikë të re.