I riu 27 vjeçar Indit Pepa, është vrarë me armë zjarri sapo ka dalë nga banesa e tij në lagjen “Zef Hoti”, në periferi të Mamurrasit.
Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku mësohet se familja e viktimës qëndronte e ngujuar prej 5 vitesh, për shkak të konflikteve të hershëm të 27-vjeçarit.
Viktima e atentatit të mëngjesit të sotëm mësohet se pjesën më të madhe të kohës e kalonte jashtë vendit dhe se njihej fare pak nga banorët e zonës.
Ditën e sotme, rreth orës 04:30, është marrë njoftim se në Mamurras, afër xhamisë së qytetit, është plagosur me armë zjarri shtetasi I.P. 27 vjeç, banues në Mamurras, i cili është transportuar për në Spitalin e Traumes në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit A.M. 49 vjeç, banues në Mamurras i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.
Grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.