Të gjitha shoqëritë, edhe ato më të zhvilluara, shfaqin problemet e tyre sa i përket rendit dhe sigurisë publike. Ndaj edhe vendi ynë nuk ka pse bënë përjashtim nga problemet apo kërcënimet nga krimi, e për këtë duhet një angazhim gjithëpërfshirës i shoqërisë për parandalimin e ngjarjeve që cënojnë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Por si arrihet kjo? Sigurisht duke i “armatosur” qytetarët me kurajo, duke rritur besueshmërinë në opinionin publik, duke edukuar brezat e rinj se polici është miku i tyre më i mirë dhe padyshim më e rëndësishmja, rezultatet e punës së policisë sa i përket angazhimit të saj në përballimin apo parandalimin e ngjarjeve kriminale në komunitet.
A bënë policia gabime? Padyshim që po! A ka polic të këqinj? Padyshim që ka! Por duhet theksuar, se policët e këqinj janë shumë pak, edhe ata të mirët mund të të shpëtojnë jetën… tuajën të fëmijëve dhe prindërve tuaj. Janë dera kryesore për të parandaluar ngjarje të padëshiruara apo për tu ndjerë më të mbrojtur nga kërcënimet çfarëdo dhe nga padrejtësitë.
Duket si e parëndësishme edukimi i brezave të rinj, por nëse marrim shembull vendet perëndimore e kuptojmë fare mirë, se sa i rëndësishëm dhe i dobishëm është roli i një polici apo zjarrfikësi në komunitet, që nuk ka asnjë dallim me atë të mjekut, që shpëton jetë. Madje një polic apo zjarrfikës mund të shpëtoj disa jetë një herësh. Jo më kot, në vendet perëndimore, fëmijët e policëve, ushtarakëve apo zjarrfikësve janë më të respektuarit nëpër shkolla, nga prindër, mësues apo nxënësit e tjerë, në shenjë mirënjohje dhe besimi, për gjithë sakrificat e tyre, për disa nga profesionet më të vështira dhe të rrezikshme që ekzistojnë.
Sot, një nga sfidat më të mëdha është rritja e besueshmërisë ndaj policisë së shtetit në komunitet, kjo për shkak të biografisë së keqe që i ka mbetur njollë nga e kaluara apo hallkave të këqija brenda strukturave të saj, të cilat sikurse kemi parë me veprime konkrete, policia ka nisur një proces vetpastrimi.
Pak por e sigurtë, policia sot nuk është njësoj si dje! Prej marrjes së detyrës nga Ministri i Brendshëm, Tuaulant Balla, policia ka ndryshuar rrënjësisht, duke shpresuar se nëse vazhdohet kështu, policia shqiptare do ta rrisi në menyrë progresive dhe të kënaqshme preformancën e saj dhe notën nga opinioni publik dhe qytetarët e të gjitha kategorive.
Nuk është e paktë dhe as e lehtë që në një periudhë 100 ditore, 2632 persona bien në pranga për vepra të ndryshme penale duke pakësuar keqbërësit dhe rritur sigurinë e jetës së qytetarit.
Është një përpjekje e madhe dhe një punë e lavdrueshme të realizosh çdo muaj gati 120 operacione të ndryshme policore në total, të parandalohen 23 ngjarje kriminale, duke u sekuestruar 120 armë paleje eksploziv dhe mina me telekomandë.
Një hovë të admirueshëm ka marrë edhe lufta kundër lëndëve të shpërndarjes, mbjelljes dhe përpunimit të lëndëve narkotike, ku u asgjësuan 180 371 bimë narkotike, u arrestuan 417 shpërndarës të drogës në të gjithë Shqipërinë dhe shumë të tjerë janë në kërkim.
Një angazhim serioz është edhe procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, i cili ka hyrë në një fazë të re dhe deri më tani, 61 punonjës janë arrestuar apo janë në masë sigurie.
A është i suksesshëm drejtimi i Ministrisë së Rendit këto 100 ditë nga ministri Balla, këtë e tregojnë faktet, të cilat duhet të vendosen në peshoren e preformancës me ish-kolegët e tij, edhe pse ka ende shumë për tu bërë për marrëdhënien ndryshe të policisë me komunitetin.
Vetëm këto ditë u realizua një operacion ku u përfshinë 1852 punonjës policie, nga Forcat e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë. Ky aksion realizoi arrestimin e 25 personave në kërkim dhe me precedentë të rënd penal, e nëse lufta me krimin vazhdon me këtë ritëm, shumë shpejt do jetë një luftë e fituar.