Në rrjetet sociale po reklamohen lojëra nëpërmjet të cilave fitohen para. Lidhur me këtë skemë mashtrimi ka reaguar edhe Policia e Shtetit, ku përmes një njoftimi zyrtar apelon qytetaret për kujdes në mënyrë që të mos bien pre e grabitjes online.
Personat që fshihen pas kësaj skeme mashtrimi kërkojnë të dhëna të llogarive bankare të qytetarëve dhe më pas iu marrin para.
“Ofruesit e lojërave kërkojnë numrat e llogarive bankare. Kjo është një skemë për marrjen e të dhënave të llogarive bankare, nga të cilat mund t’iu merren shuma monetare. Nisur nga rastet e shtuara të përdorimit të këtij aplikacioni, kryesisht nga nxënësit, me qëllimin për të fituar para, Policia e Shtetit apelon për prindërit që të tregohen të kujdesshëm, për të mos lejuar fëmijët që të përdorin këtë aplikacion dhe në rastet kur ata e përdorin, të tregojnë kujdes, pasi duke dhënë të dhëna personale dhe të llogarive bankare, mund t’iu tërhiqen para nga llogaria juaj”, njofton policia.