Policia Greke ka rrëzuar të gjitha pretendimet që minoritari Kostandino Kaçifa të jetë vrarë për flamurin apo të jetë provokuar nga pala shqiptare.
E përditshmja greke “Kathimerini”, por edhe media të tjera të Athinës, citojnë burime zyrtare të Policisë Greke që thonë se autoritetet e vendit të tyre kanë qenë vazhdimisht në kontakt me palën shqiptare.
Kështu bën të ditur edhe agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA, duke iu referuar “burimeve kompetente” nga policia greke.
Agjencia bën gjithashtu të ditur se kanë filluar procedurat me qëllim që të marrë pjesë dhe pala greke në hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkaqeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Greke, Aristeidis Andrikopoulos, ka kontaktuar me homologun e tij shqiptar dhe është mbajtur vazhdimisht i informuar për situatën që po ndodhte në Bularat të Gjirokastrës.
Edhe burime nga Policia e Shtetit konfirmojnë për tvklan.al se ka pasur komunikim përmes kanaleve zyrtare me homologët grekë.
“Kathimerini” shkruan gjithashtu se burime zyrtare nga Policia e Athinës i kanë thënë se nuk ka prova apo dëshmi që Kostandino Kaçifa të jetë vrarë për ngritjen e flamurit grek. Vet policia helene e mohon që 35-vjeçari minoritar të jetë provokuar nga policia shqiptare apo faktorë të tjerë.
Ndërkohë, ambasadori shqiptar në Athinë është thirrur në Ministrinë e Jashtme të Greqisë për episodin që ndodhi në Bularat.
Sikurse shkruan edhe “Kathimerini”, Ministria e Jashtme e Greqisë vazhdon të protestojë për vdekjen e minoritarit grek në Shqipëri, pavarësisht se Policia Greke thotë se ka qenë në dijeni që në fillim të operacionit të RENEA-s dhe mohon që 35-vjeçari të jetë vrarë për uljen e flamurit.
Ndërkohë, e përditshmja tjetër “I Efimerida” shkruan se policia greke ka shtuar masat e sigurisë në ambasadën shqiptare në Athinë, në Zyrën Konsullore shqiptare në Selanik, si dhe në biznese e dyqane që i përkasin komunitetit shqiptar në Greqi, për të shmangur çdo episod të dhunshëm nga ekstremistë. Në të njëjtën kohë ekziston frika edhe për të burgosurit shqiptarë në burgjet e paraburgimet e Greqisë.