Policia në landin verior gjerman të Schleswig-Holstein-it po heton një video virale në mediat sociale, që duket se tregon një grup të rinjsh duke kënduar tekste raciste pranë një lokali në ishullin Sylt.
“Një video që tregon njerëz duke festuar në ishullin Sylt po qarkullon në mediat sociale,” tha policia në X, dikur Twitter, të premten në mëngjes. “Ne jemi në dijeni për këtë video, e cila është nën hetim për shkak të përmbajtjes së saj potencialisht të paligjshme”.
Videoja, e cila duket se është xhiruar jashtë klubit ekskluziv të natës Pony në qytetin ishull Kampen fundjavën e kaluar, tregon njerëzit duke kërcyer me hitin e DJ-it italian Gigi D’Agostino ‘Love Always’, por duke ndryshuar tekstin në “Të huajt jashtë, Gjermania për gjermanët, të huajt jashtë”.
Në video duket një i pranishëm që imiton mustaqet e shkurta të diktatorit nazist Adolf Hitler dhe që bën përshëndetjen naziste. Askush në video nuk duket i shqetësuar nga kjo sjellje.
Klubi i natës dënon incidentin dhe raporton emrat e “nazistëve”.
Pasi mësoi videon, “Pony” shkroi në Instagram se ishte “thellësisht i tronditur” dhe se “distancohet nga të gjitha format e racizmit dhe diskriminimit”.
Teksti vazhdon: “Çdo mysafir është i mirëpritur, pavarësisht nga origjina e tij etnike… Ne jemi krenarë për diversitetin tonë. Po ta kishim ditur këtë incident, padyshim që do t’i kishim dëbuar personat e përfshirë. Nuk ka vend për racizëm!”
Dhe si shënim në fund, shkruhet: “Kushdo që e sheh veten duke kënduar në këtë video, je i ndaluar (të hysh në klub)!”
Jan Böhmermann, satiristi i njohur i televizionit kombëtar e publikoi videon në rrjetin social dhe pyeti 2.7 milionë vetë: “Kush dhe ku janë këta njerëz?
Disa orë më vonë, klubi tha se “ia kishin dërguar emrat e këtyre nazistëve” dhe “do të bënte një ankesë kundër kësaj sjelljeje të neveritshme me të gjitha mjetet ligjore”.
Scholz thotë se nuk duhet të ketë tolerancë
Kancelari Olaf Scholz dënoi ashpër thirrjet raciste të filmuara.
“Është e qartë se slogane të tilla janë të neveritshme dhe të papranueshme”, tha Scholz-i. “Nuk duhet të ketë tolerancë. Dhe kjo është arsyeja pse është e drejtë që të të gjitha aktivitetet tona synojnë pikërisht parandalimin e përhapjes së kësaj.”
Gazetarja dhe prezantuesja gjermane Dunja Hayali tha: ” Mustaqe Hitleri dhe shampanjë, por jo “të huaj”. Sylt 2024. Ditën kur kremtojmë përvjetorin e Ligjit Themelor”.
Tendenca e ekstremit të djathtë
Videoja u zbulua në ditën kurGjermania shënoi 75-vjetorin e Kushtetutës së vendit, të njohur si Ligji Themelor, paragrafi i parë i së cilës thotë: “Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm”.
Tendenca e të kënduarit të teksteve raciste të riformuluara në melodinë “Love Always” u përhap në qarqet e ekstremit të djathtë në Gjermani që në vitin 2023.
Deri tani në vitin 2024, policia ka nisur hetime për incidente të ngjashme në festa dhe festime në disa qytete të largëta në Bavari, Gjermani jugore, si dhe në landin verior Schleswig-Holstein./ DW