Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi vizitoi punonjësit e Policisë Bashkiake në pavionin e Spitalit të Traumës, të cilët mbetën të plagosur në protestën e sotme të banorëve të Unazës së Re të mbështetur nga opozita.
Pasi u njoh me gjendjen shëndetësore të punonjësve të Policisë Bashkiake, nënkryetari Seferi tha se dëmtimet e tyre janë serioze dhe një pjesë e tyre kanë marrë edhe plagë djegie.
“Sapo dola nga vizita që u bëmë efektivëve të Policisë Bashkiake, të cilët u plagosën nga protesta aspak qytetare që u bë sot para godinës së Bashkisë së Tiranës. Flakë, goditje me gurë, sende të forta, vendosje gomash nuk i shkojnë për shtat një qyteti evropian dhe rrugës për ku jemi nisur”, tha nënkryetari Seferi.