Poema e vitit 1889, shkruar në Pire nga një arvanitas i Greqisë, për shumë arsye duhet të cilësohet e rëndësishme, megjithëse deri më sot nga asnjë studiues nuk është botuar ndonjë studim për letërsinë e vjetër të shqiptarëve të Greqisë, që njihen me emrin arvanitas.
Ky krijim i madh vjershëtor, gjendet i botuar për herë të parë në numrin e muajit maj të vitit 1889 në revistën “ΑΠΟΛΛΩΝ” (APOLLON), botim i D. K. Sakelaropulos në Pire të Athinës. Në këtë revistë, bashkëpunonin shkrimtarë dhe dijetarë të kohës në Greqi. Poema është ribotuar për herë të dytë në gjuhën greke, me komente nga studiuesi arvanitas Jani P. Gjika në vitin 1995, në revistën “ΜΠΕΣΑ” (BESA), botim nga Lidhja e Arvanitasve të Greqisë.
Poema është shkruar më 26 mars të vitit 1889 nga një arvanitas, i cili mbetet anonim. Këtë poemë, ai ia kushton fejesës së princeshës Aleksandra të Greqisë me dukën e madh të Rusisë, Pavlo Aleksandroviç, djali i perandorit të Rusisë Aleksandrit të Dytë dhe vëlla i perandorit Aleksandër i Tretë.
Poema, ka titullin origjinal “NTE EPARA VASILOPOVA GIONE LEKSANDRA” (Për të parën peinceshën tonë Leksandra). Vëllimi dhe numri i revistës, në të cilin është botuar poema i dedikohet D. Mesallës me shënimin:
“Mbrojtësin tepër fisnik të letrave dhe muzëdashës me respekt të thellë dhe mirënjohje i kushtojmë vëllimin e pestë të Apolonit. Drejtori.”
Vajza e mbretit të Greqisë, Gjergjit të parë dhe mbretëreshës Ollga, princesha Aleksandra u martua në vitin 1889. Martesa e princeshës Aleksandra me dukën e madh të Rusisë, Pavllon zgjati vetëm dy vite, sepse princesha Aleksandra vdiq në vitin 1891, në Rusi, në moshën 21-vjeçare. Varri i saj gjendet në faltoren Petro dhe Pavëll në Petërburg (ish-Leningrad), me pjesëtarë të tjerë të familjes perandorake ruse.
Më 1889, Pavli erdhi në Greqi për të marrë nusen, princeshën Aleksandra, për të bërë dasmën në Rusi. Kjo ngjarje i jep shkas një arvanitasi që mbetet i panjohur për ne, të shprehë poetikisht ndjenjat e tij, duke e filluar poemën me vargjet e njohura:
Të këndoj në shqip,
në gjuhën heroike,
që foli admiral Miauli
Boçari dhe gjithë Suli.
Me fillimin e këtyre rreshtave, poeti na tregon se gjuha që flisnin shumica e heronjve të revolucionit grek të vitit 1821, ishte shqipja.
Në këto vargje përmendet admirali i madh Andrea Miauli, i cili ishte biri i Dhimitër Bokut ose Voku me prejardhje nga Eubeja. Një stërgjysh i Andreas e ndërroi mbiemrin nga Boku në Miauli. Duke marrë për mbiemër emrin e anijes Miauli, ku ai punonte me vite të tëra. Andrea Miauli, lindi më 20.5.1769 në ishullin e Hidrës. Në vitin 1822 Andrea u zgjodh komandant i flotës detare të ishullit Hidra. Revolucionit të 1821 Andrea Miauli i dhuroi 250.000 franga floriri dhe tri anije luftarake. Miauli ishte një njeri i thjeshtë dhe trim. Dinte të fliste gjuhën e mëmës shqipen dhe anglishten. Gjuhën greke nuk e dinte dhe mësoi të shkruante greqisht vetëm emrin e tij, kur u bë admiral. Ai nuk pranoi shumë dekorata dhe privilegje. Kështu, nuk pranoi dekoratën “Kryqi i Legjionit të Nderit” të dhënë nga mbreti i Francës Karli X. Miauli, vdiq më 21.7. 1835 dhe u varros në Pire. Zemra e tij është ruajtur në një kuti argjendi në Ministrin Detare Greke.
Në vargjet e mësipërme përmendet Boçari dhe bëhet fjalë për fisin e madh trim të Boçarëve të Sulit, të cilët kishin ardhur në Sul të Çamërisë pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, me rreth 200 luftëtarë arbër dhe familjet e tyre.
Nga kjo familje e dëgjuar, dolën shumë burra trima si: Kiço Boçari, Kosta, Dhimitri, Jorgji dhe kapedani i madh i revolucionit grek të vitit 1821, Noti Boçari. Por, më i njohuri, i cili mbeti në histori si luftëtar trim dhe njeri i kulturës së shkrimit shqip, ishte Marko Boçari, i lindur në Sul më 1790. Ai, kur gjendej i internuar në Korfuz, mësoi greqishten dhe bëri të famshmin “Fjalorin dygjuhësh të greqishtes dhe shqipes së thjeshtë” më 1809, të cilën e shkroi Markoja vetë me ndihmën e babait të tij, Kiço Boçari (1754-1813), xhaxhait Noti Boçari (1759-1841) dhe vjehrrit të tij, Kristaq Kallogjeri nga Preveza. Kjo vepër ishte përfundimi i nxitjes së konsullit francez Pukëvil, siç pretendonte francezi vetë, përpjekje që suljotët shqiptarë të mësojnë greqisht dhe të merren vesh me grekët. Sido që të jetë puna, fakt është se kemi të bëjmë me një hero që ka ngritje kulturore, i cili krijoi një vepër të madhe dhe si rrjedhim me të drejtë Marko Boçari mund të quhet si realizuesi i fjalorit të thjeshtë të parë greqisht-shqip.
Pra, me këto rreshta, poeti, nis poemën e tij kushtuar princeshës Aleksandra që ai në poemë e quan Leksandra.
Në kohën, kur është shkruar poema, studimet albanologjike në Greqi ishin në fazën e lulëzimit. Në fund të shekullit XIX flitej më shumë për bashkimin e Greqisë me shtetin shqiptar të paqenë dhe krijimin e një mbretërie greko-shqiptare. Pikërisht, për këtë bashkim studiuesi arvanitas, i ndjeri Aristidh Kola, ka botuar në vitin 1996 dokumentin historik me titull “H ΠΡΟΚΗΡΥΞΗ ΤΟΥ ΑΡΒΑΝΙΤΙΚΟΥ ΣΥΝΔΕΣΜΟΥ ΤΗΣ ΑΘΗΝΑΣ ΠΡΟΣ ΤΟΥΣ ΑΔΕΡΦΟΥΣ ΑΡΒΑΝΙΤΕΣ ΤΗΣ ΑΡΒΑΝΙΤΙΑΣ” (Thirrje e Lidhjes Arvanitase të Athinës drejtuar vëllezërve arbër të Arbërisë). Ky dokument historik është shkruar në vitin 1899 dhe parashtron arsyet për bashkimin e grekëve me shqiptarët në një mbretëri të vetme. Pikërisht, për këtë bashkim, Mbretëresha e Greqisë, Ollga dëshironte të mësonte gjuhën shqipe.
Poema e vitit 1889, është shkruar në gjuhën shqipe apo arbërishte si e quajnë në Greqi këtë gjuhë dhe ka 430 rreshta. Duhet thënë se në shekullin XIX, gjuha shqipe kishte një shtrirje të gjerë në Ballkan. Në Greqi, në fund të shekullit XIX, gjuha shqipe flitej nga pjesa më e madhe e popullatës e deri brenda në oborrin mbretëror. Madje, në flotën detare, ushtarake dhe tregtare greke flitej shqip.
Për të shkruar poemën në gjuhën shqipe ose arbërishte, autori në mungesë të një alfabeti të njësuar të gjuhës shqipe në ato kohë ka përdorur shkronja greke dhe mendoj se mund të ketë përdorur alfabetin e mëposhtëm që unë e kam ndërtuar në bazë të fjalëve të shprehura në vargje. Për, plotësimin e alfabetit shqip me 36 shkronja, poeti duhet të ketë përdorur disa lidhje midis 24 shkronjave të alfabetit grek.
Nde për të parën
E para Vasillopuva jone
Principeshën tonë
Leksandra Leksandra
Të këndonnë ndë arbërishte,
Të këndojmë në shqip,
Ç’ ishtë gluhë trimmërishte,
që është gjuhë trimërie,
Ç’eflit nafarhu Miauli,
që e fliste admiral Miauli,
Bocari, dhe gjithë Suli.
Boçari, dhe gjithë Suli.
I
Duav diev ndë mal,
Doli dielli në mal,
si të pa siprë ndë kal,
si të pa sipër në kalë,
ufsheh bërdha ndë në re,
u fsheh brenda në re,
të ndritonjësh ti ndë dhe.
të ndriçohesh ti në dhe.
***
Kur ti vinje ka Tatojë,
Kur ti vije nga Tatoi,*
Hëna dil ka Jmitojë,
Hëna dilte nga Imitos,*
tuke shtif sit’ e te pa,
duke hedhur sytë e të pa,
ndrito për mua ti të tha.
ndriço për mua ty të tha.
***
Drita je çë sperëndon,
Drita je që s’perëndon,
lulea e lulevet çë mblon
lulja e luleve që mbulon,
vendetë ka merudhi,
vendet nga kundërmimi,
kado vete e kado rri.
nga do vete e nga do rrish.
***
Parnithi një krino nxuar,
Parnis* një zambak nxori,
e ka marudhia e hovë,
e nga aroma e hollë,
erdh një Dhuk’ e na emuar,
erdhi një duk dhe na e mori,
e ekev ndë Peterhovë.
dhe e çoi në Petërburg.
***
Lulea e lulevet me fletë
Lule e luleve me fletë
bërdha ndë pallat jë vetë,
brenda në pallat je vetë,
kur hin bërdha ndë një gardh,
kur hyn brenda në një gardh,
ka gjithë luletë ti sbardh.
nga gjithë lulet t’i zbardh.
***
Drita luan ndë diamant,
Drita luan në diamant,
çel e shqep ndë një perlandë,
çel e shqep në një perlandë,
bërdha ndë si tënd çë luan;
brenda në sy tënd që luan?
edi vetëm’ aj çë ruan,
E di vetëm ai që ruan,
të sglidh më të mirën’ vajzë
të zgjedhë më të mirën vajzë
për ti shkon ndë glisht’ unazë.
për ty shkon në gisht unazë.
VII
Ju të parëtë e Moresë
Ju të parët e Moresë
‘dhe Kaptandë të Steresë
dhe kapedanë të Steres,
Nikoqirët’ të Nisivet!
Zotët e Ishujve!
ngruni shihni se çë sivet!
Ngrehuni, shihni se ç’ndodh!
djemt e Basilesë tënë,
djemtë e mbretërisë tonë,
nuse ‘dhe gabre u bënë,
nuse dhe dhëndër bënë,
Kostandinoa Gjermanisë,
Kostandini i Gjermanisë,
‘Aleksandra e ‘Rusisë
Aleksandra e Rusisë
gruni gjithë e uroni,
ngrihuni të gjithë e uroni,
e gëzonuni se throni
e gëzohuni se Fronti
ethnosit, çë bëtë juve
kombi që bëtë juve
rrënjë shtif e ncier lule,
rrënjë hodhi dhe nxjerrë lule.
Shkruajta ndë 26
E shkruajta në
Marsit 1889 ndë Pire.
26 Mars 1889 në Pire.
* Shkëputur nga “Gjurmë të letërsisë së vjetër të shqiptarëve të Greqisë 1860-1889”, nga Arben P. Llalla – Tetovë, 2006
* Mal në Atikë
* Mal në Atikë
* Mal në Atikë/Konica