Grabiten 7.5 milionë lekë të reja nga një automjet tip ‘Benz’ i cili po transportonte paratë e patentave. Ngjarja ka ndodhur në Shkozet rreth orës 16 e 30, konfirmon Balkanweb.
Makina e blinduar që transportonte paratë e Drejtorisë së Transportit Rrugor është ndaluar dhe grabitur e më pas autorët janë larguar në drejtim të Shijakut.
Policia e Durrësit është vënë në ndjekje dhe ka ngritur postblloqe për kapjen e autorëve.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
Durrës
Informacion paraprak
Sot rreth orës 16 :50, në lagjen nr.14 Shkozet, dyshohet se 3 persona me një mjet, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar i kanë dalë përpara një mjeti (shoqëri private sigurimi) që po trasportonte lekët e Ndërmarrjes së Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë dhe i kanë marrë një shumë parash.
Efektivet e Policisë po punojnë për kapjen e autorëve të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nuk jepen të dhëna të tjera për arsye hetimi.