Vito Kapo, gruaja e njeriut më të afërt dhe më të besuar të Enver Hoxhës, Hysni Kapos ka treguar në një rrëfim për “Albania Free Press”, se si u njoh me atë që do të ishte bashkëshorti i saj.
Sipas saj, njohja më nga afër ka ndodhur në Hotel Dajti, aty ku edhe u lidh miqësia e tyre.
“Pas Beratit, unë shkova në Korçë për të stabilizuar punën në këtë qytet, Organizatën e Gruas. Ishin muajt e fundit të luftës. Po përgatiteshim për çlirimin e Tiranës. Pas Beratit, Hysniu u nis përpara Enverit për në Tiranë, pasi do të ishte komisari që do drejtonte luftën për çlirimin e Tiranës. Atë vit dimri ishte i egër. Unë po shkoja në Korçë me rrobat që kisha, pra po ato të ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Duke më parë kështu, Naxhije Dume më thotë “ku shkon ti me ato rroba është Korçë atje, bën shumë ftohtë. Do mbarosh së ftohti”. Pastaj më jep një palë rroba dimri që i kishte porositur. Unë erdha në Tiranë kur ajo ishte çliruar dhe udhëheqja ishte akoma në hotel “Dajti”– tregon Vito Kapo.
Ajo rrëfen më tej se “Aty kishte zyrat Hysni dhe Dali Ndreu. Atëherë, “Dajti” mbahej si një hotel luksoz, më i miri në Shqipëri. Hoteli kishte dhe një mensë ku ne hanim, ndërsa të gjitha mbledhjet e rastit i bënim në sallon. Në këtë ambient, unë isha së bashku me Nefo Myftiun. Pikërisht këtu, në hotel “Dajti” unë u njoha më nga afër me Hysniun. Ishte ky hotel që lidhi miqësinë tonë”.
Vito thotë se i vjen shumë keq, “që ky hotel me kaq histori, sot është kthyer në një rrangallë”.
Aty ajo mesoi edhe të shkuaren e Hysniut.
“Aty mësova se Hysniu kishte qenë i martuar dhe kishte një djalë. Por ishte i divorcuar. Atëherë qe një opinion jo i mirë për divorcin, ndaj unë stepesha para tij. Madje kurrë nuk i kam folur, pa më folur ai. Ishim akoma shumë konservator në marrëdhënie. Kjo indiferencë e imja e inatoste shumë herë Hysniun, por unë qëndroja në timen. Nga sjella, mënyra se si më fliste, sesi nervozohej nga heshtja ime, sesi më kërkonte për raportim, unë e ndjeja që ai më dashuronte. Po ashtu, ndoshta edhe më me forcë dhe unë. Në këto situata, pyes vëllanë e madh Pirron dhe i tregoj gjithçka”- thote ajo, duke shtuar se “I them dhe që ishte i divorcuar, por ai më tha nuk ka asgjë. Më vonë të dy i themi edhe vëllait të vogël, Alqit që ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror, 19 vjeç, në atë kohë. Edhe ai nuk kundërshtoi për njohjen”.
Me tej, Vito tregon momentin kur Hysniu i bëri një ftesë.
“Një ditë më thotë Hysniu “a do të vish andej nga zyra se kemi disa punë për Bashkimin e Grave”. “Mirë, -i them, -se do të vij nga ora pesë. Shkova atje dhe ai më pa me inat”. Ishte 24 shkurt i vitit ’45-ës. “Po ti nuk kupton se ç’dua të të them… Nuk kupton vërtet?”. Vendosëm të martoheshim pa zhurmë dhe pa bujë. Thjesht bëmë një darkë në shtëpi, ndërsa celebrimin e bëmë më 27 shkurt të ’45-ës ku erdhën dhe Alqi me Pirron”- thote ajo.
Dasma ka qene fare modeste. “Në darkën e dasmës ishim gjashtë veta. Për këtë datë, kam një unazë dhe kjo daton me ditën e dasmës. Pra unaza shënon: “27/02/1945”. Dua të theksoj se këtë unazë ma kishte dhënë nëna, por tek një specialist i bëmë modifikimet ashtu siç e thashë më lart. Pra kjo unazë është në dorën time që nga shkurti 1945, plot 72 vjet në gishtin tim”-tregon Vito Kapo./Albanian Free Press