Të huajt që aplikojnë për vizë të kategorive të ndryshme në vendin tonë, duhet të paraqesin detyrimisht garanci financiare e cila mbulon shpenzimet e qëndrimit në Shqipëri.
Referuar udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave, “garancia financiare depozitohet në llogarinë bankare të aplikantit nga vetë i huaji që aplikon për vizë, nga garanti i të huajit, ose nga ftuesi i tij në Republikën e Shqipërisë, duke dokumentuar, gjithashtu, nëpërmjet vërtetimit nga banka që nuk janë kryer derdhje të pajustifikuara, në këtë llogari bankare, të paktën për 12 muajt e fundit”.
Në udhëzim specifikohet gjithashtu se “shuma e garancisë financiare që duhet të paraqitet në dokumentacionin për pajisjen me vizë nga i huaji, për rastet e përcaktuara me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, duhet të jetë të paktën 5000 lekë për ditë qëndrimi të kërkuar në vizë për personat mbi 18 vjeç dhe 2500 lekë për shtetasit nën 18 vjeç”.