Mëngjesin e të Shtunës kanë mbërritur në aeroportin e Prishtinës 13 shqiptarët e riatdhesuar që kanë shpëtuar nga kampet e ferrit në Siri dhe janë të sigurt në duart e autoriteteve shqiptare.
4 gra dhe 9 fëmijë rikthehen në gjirin e familjes, për të lënë pas njëherë e përgjithmonë dramën që përjetuan prej një kohe të gjatë duke e çuar në 43 numrin total të bashkatdhetarëve që janë shpëtuar deri tani.
Shqiptarët e riatdhesuar janë pritur nga ministri i brendshëm Bledi Çuçi, i cili shprehu mirënjohje për partnerët strategjikë, SHBA, që bënë jashtëzakonisht shumë për finalizimin me sukses të operacionit të katërt përmes së cilit edhe Kosova riatdhesoi disa shtetas të saj.
“Kurrsesi nuk është operacioni i fundit dhe as do të ndalemi derisa të rikthejmë edhe gratë e fëmijët e mbetur ende në kampet famëkeqe të zonave në konflikt, duke u bazuar gjithashtu në listat e hartuara më herët me partnerët libanezë, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në rajon, Marc Ghorayeb.
Kemi statistika të sakta të bëra që nga tre operacionet e para, me partnerët libanezë, këshilltarit tonë diplomatik në Liban, e të gjitha këto lista që do i përditësojmë akoma më tepër do bëjmë të mundur të kthejmë çdo shqiptar që ka mbetur në këto kampe”, tha Çuçi.
Një nga personat e përfshirë në këtë operacion që priti shqiptarët e riatdhesuar tregoi se fëmijët e pyetën se ku do të shkojnë ndërsa ajo i shpjegoi se do të rehabilitohen dhe më pas do të kthehen në shkollë.
“Se më pyetën fëmijët po ne ku do shkojmë? Edhe i thashë që ju do shkoni në një qendër pritëse ku do bëni të gjithë analizat, do ketë dhe edukatorë e mësues, e sapo të jeni ju të gjithë gati e të ndiheni mirë ju dhe mamat tuaja, do gjejmë mënyrën më të mirë për t’i rehabilituar, kthehen e në shkollë”, informoi një nga personat e përfshirë në operacion.
“Po si shoqet dhe shokët që kanë ardhur më herët, kanë filluar shkollën”, tha ministri i brendshëm.