Ende nuk po e kuptojmë se çdo ditë po e humbasim nocionin njeri. Njeri do të thotë njerëzillëk, që të dhëmb miku, shoku, fqinji. S’mund të jesh i qetë kur shikon fqinjin në mjerim, as kur fqinji është në zi. Një fjalë e tjetrit ta përgjysmon dhimbjen. Më duket se po përsëritim ca budallallëqe të sistemit të kaluar. Atëherë shoqëria ishte ndarë në dy pjesë. Ata të deklasuarit nuk lejoheshin të vinin në shkollë fëmijët e tyre më shumë se tek e mesmja. Gëzimet dhe hidhërimet i kishim të ndara.
Në ndonjë rast bëhej edhe ndonjë gomarllëk si ky. Në fshatin Backë të Skraparit kishte vdekur një i deklasuar. Le fshati nuk shkeli në shtëpinë e tij, sepse zbutej lufta e klasave, po nuk e linin të varrosej as në varrezat e fshatit. U detyrua hallexhiu të shkonte në lokalitetin e Potomit për të zgjidhur hallin mbi hall, se mbeti pa varrosur. Qëlloi që kryetari i lokalitetit ishte njeri i njerëzishëm dhe dha urdhër të varrosej tok me të tjerët. Në fshatin Nishicë, një banor u vetëhelmua dhe gjysma e fshatit nuk i vajti për ta varrosur, se e quajtën veprim kriminal!
Çuditërisht po shkojmë drejt një ndasie të pakuptimtë. Të gjitha zakonet po i bëjmë sipas partive. Më kujtohet kur vdiq nëna e Fatos Nanos në Tiranë, që nuk shkeli asnjë kundërshtar partiak për ta varrosur e ngushëlluar. Është krim të mbash qëndrime të tilla ndaj nënave, por edhe çdo njeriu që ikën nga kjo botë. Në radhë të parë kjo është kulturë qytetare. Nëpër parti le të grinden e shahen, po njerëzillëkun për njëri-tjetrin duhet ta ruajmë. Nesër fqinjit mund t’i thyhet parmenda në kulmin e mbjelljeve, po do t’i duhet ndihma e atij që deri dje e ka mbajtur kokën mënjanë. Boll e shtrembëruam kokën për 50 ca vite. Po demokracia po na nxjerr avaze të tjera. Ne e pranuam sistemin që të mos kemi ndasi klasore.
Mirëpo kjo ndasi po thellohet. Atëherë kishim dy lloj klasash, tani kemi 120 klasa, aq sa parti kemi. Unë të vras se më shave gomarin, ti s’më lë të mbush ujë në atë çezmë ku kemi pirë së bashku në shekuj. Ai tjetri të zë rrugën, se i përket një partie tjetër. Djalit tënd iu mbush mendja të marrë pushkën në dorë dhe të vrasë cilën të dojë, po kriminel quhet babai! Ne s’po e kuptojmë ende, se në këtë sistem, as djali, as vajza nuk të pyesin më. Atëherë pse duhet të ndëshkohem unë, kur çmendet djali? A i keni parë prindërit, që kanë mbetur vetëm, se i kanë përzënë fëmijët?! Të do djali, po s’të pranon nusja, se nuk të ka gjë. Djali zihet ngushtë, se ka bërë një vatër fëmijë me nusen dhe s’ndahet dot. E gjen me vend të mbështesë nusen.
Miqësia e sinqertë i ka humbur vlerat. Nuk e di cilin ke shok e cilin kundërshtar. Vete në dasëm dhe nuk gjen gëzim, se fillojnë bisedat politike. Sherr në dasmë e në Kuvend, sherr në familje e shoqëri. Sherr me gruan, sherr me fëmijët, sherr me vëllezërit për një gardh e një vijë ujë. Sherr me partiakët e me fqinjin. Po ku do të gjejmë qetësi ne? Tani na mbetet që edhe dasmat e hidhërimet t’i bëjmë mbi baza partiake. Kështu do t’i bëjmë edhe familjet, ata që kanë bindje të kundërta të largohen e të krijojnë familjen e tyre me shtresën që puqen. Shembullin më të keq po e jep opozita ekstreme. Si është e mundur që një kryetar partie, i cili pretendon pushtetin të thërresë për shkatërrime e masakra? Të kujt janë objektet? Të ulurish ashtu do të thotë të jesh kundër popullit që i ka ndërtuar ato objekte.
Po kjo lloj politike është kundër vetes, se po i prishe punën e bërë popullit, s’ka si të japë votën i ashtuquajturi kryetar i opozitës, që quhet Lulush, deklaron se do të bojkotojmë Kuvendin. Po, a e kupton ai se bojkoton zgjedhësit, sepse vota e tyre e ka shpënë në Kuvend që të mbrojë interesat e tij? Ky lloj Lulushi deklaron se ndërpres të gjitha marrëdhëniet me Ramën! Dhe ky popull që të ka dhënë votën pyet: Përse i ndërpret këto marrëdhënie? Ka shkelur ligjin, ka vjedhur apo është imoral? Atëherë përse nuk e denoncon në organet e drejtësisë? Por nga këto nuk qëndron asnjë, arsyeja është se Basha e provoi përballjen me Ramën dhe nuk e hëngri dot, ka frikë se ja hedh sërish Rama. Atëherë i nderuar Lulush, lërja detyrën ndonjë tjetri, që ka aftësi bashkimi dhe nuk krijon konflikte. Si mund të ketë marrëdhënie me pushtetin ky lloj Lulushi, kur nuk siguron dot marrëdhënie me të vetët, që i ka shpallur tradhtarë? Ku po vemë kështu kur kemi sherr brenda partive e në familje? Kush e futi këtë armiqësi mes shqiptarëve? Ne nuk e bëmë pluralizmin që ta futim vendin në konflikte, po të kontrollojmë njëri-tjetrin pa humbur dashurinë njerëzore.
Me inat nuk zgjidhet asnjë problem. Shteti ka ligje, ai është rregullatori i të gjitha çrregullimeve. Ne po përpiqemi të bashkohemi me Evropën kur s’po bashkohemi dot me njëri-tjetrin. Po ka dhe ndonjë të ashtuquajtur gazetar, që i fryjnë zjarrit duke deklaruar, se pa shkatërruar nëpër protesta nuk ke bërë gjë! Pushtetin e rrezojnë alternativat që janë më të mira se ato të pushtetit. Nuk është fjala të bashkojmë partitë, po të mos humbasim njerëzillëkun. Konkurrenca bëhet me alternativa, jo me njerëz kokëmënjanë. Unë nuk kam pse i zemërohem një njeriu, që më sugjeron të korrigjohem kur veprimet e mia bien ndesh me ato të shoqërisë dhe ligjit. Përse duhej bërë tërë ajo zhurmë për çiftin e Krujës që u konfliktuan me njëri-tjetrin?
Ai ishte një konflikt që u përkiste vetëm atyre, siç ka ndodhur me shumë çifte, por dhe do të ndodhë, se jo të gjithë të rinjtë e kanë aftësinë për të krijuar paqe mes tyre. Përse duhet të hynte politika, kur ai konflikt zgjidhej ligjërisht? Votat e njerëzve nuk merren duke akuzuar njerëz që s’kanë lidhje me atë konflikt./Nga Enver CAKAJ