Gazetari investigativ Artan Hoxha u shpreh sot se mes tre ngjarjeve të fundit që kanë tronditur opinionin, grabitja e biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël, eksplozivit në makinën e ish-noteres Rezarta Koçi dhe ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha ka një lidhje.
Por cila është ajo? “Fajdet” shprehet Hoxha. Sipas tij, biznesi i fajdeve po bën kërdinë në vend në kushtet kur bankat kanë shtrënguar kreditë.
Por si funksion ky biznes në Shqipëri? “Kjo mënyrë nuk ka zgjidhje në gjykatë, aty është “AK47”-ta. Në rastin e Çangut, Nazmiu jepte para me fajde, ai është në krahun e kundërt, është marrë info që ka para dhe është goditur.
Ish-noterja ka marrë para me fajde, përveç kallëzimeve që janë bërë në adresë të saj. Ajo ka edhe një situatë tjetër, një person shumë i afërt i saj që ka pasur lidhje ka humbur jetën në Mamurras nga një aksident dhe sot ndodhet në situatën edhe për detyrimet që ka pasur personi në fjalë, diku 150 mijë euro, që personat që ja kanë dhënë me fajde, ja kanë katërfishuar, i kanë kërkuar 650 mijë euro.
Edhe fondacioni Xhaferri nuk e kalonte në këto nivele. Ish-noteres i është treguar se nuk mund të rrijë e qetë dhe se i ka mbaruar afati, dhe se janë në gjendje ti bëjnë keq asaj. Për ti treguar asaj që ne nuk kemi frikë”.
Por çfarë ndodh nëse nuk paguhet? Hoxha rrëfeu skemën që përdorin kriminelët. “Një pjesë e tyre bëhen aksionerë të kompanive, se japin para dhe kur kompania nuk është në gjendje të kthejë paratë kërkojnë që të bëhen aksionerë, kjo është një metodë mjaft e mirë e tyre për të pastruar para. Është një nga metodat më të përhapura sot. Bankat bllokuan kreditë për bizneset problematike dhe ata ju drejtuan krimit dhe krimi po bëhet i ligjshëm sot” përfundoi Hoxha.