Krye-politologu i PDIU, u rikthye tek “vatha” e PD, brenda të cilës është futur edhe “mama-dhia” e LSI, Monika Kryemadhi, duke u bërë bashkë, gjithë “kopeja” e përzënë nga “kullota” (pushteti), me në krye “viçin e pa lëpirë” Lulzim Basha dhe “kaun” plak Sali Berisha
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, “anti-greku i përbetuar”, që bënë biznes makaronash importi me grekët, vendosi të divorcohet edhe me letra, nga koalicioni “rilindja”, 1 vit pasi erdhi rrotull “gardhit” të pushtetit të Edi Ramës, por askush nuk “ia bëri me shenjë” të futej brenda, duke e telendisur me shpërfilljë e mungesë pushteti (dmth lekë).
Mirëpo Shpëtim Idrizi, po shkon fillikat në koalicionin PD-LSI, mbasi është shpartalluar totalisht, nga një sulm i heshtur i Edi Ramës, që i zhduki gjithçka kishte, duke i lënë vetëm logon e partisë “PDIU” dhe zyrat, gjysma e të cilave janë dhënë me qira për biznese, ndërsa në të tjerat dremisin e luajnë tavëll, anëtarët e mbetur të kryesisë, ndërkohë që deri para 1 viti, ashtu si LSI, kjo parti gumëzhinte nga kërkesë-ofertat, për shitje vendesh pune.
Tashmë, Idrizit i është “vënë driza” tek porta e partisë, ngaqë ka mbetur pa pushtet, mbasi edhe ato drejtori e pushtet lokal që ka si emër, pas “plasjes së puseteve” të korrupsionit, si Bashkia Rogozhinë, ISHSH, Fondi Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Targa-Patentat e Tiranës, AKU e të tjera, ia kanë dredhur e janë ngjitur “rilindjes”.
Edi Rama i shkatërroi Idrizit, grupin parlamentar, Qifen duke ia eleminuar me KQZ, “gocat” Reme Lala e Elein Xhina, duke ia marë “partizane” në grupin parlamentar të PS, ndërsa në “oturakun” e mbetur Dritan Bici, ish-kryetarin e Bashkisë që u bë miliarderë me shitje lakrash, dihet që e ka në “tepsi”, si ish socialist i “dhjerë” në korrupsion.
Përveç tregut të vendeve të punës e deputetëve, Rama i zhduki partisë së Idrizit edhe kauzën e “Çështjes Çame”, duke bërë pazare me grekët, por i zhduki dhe partinë PDIU, të cilën si “pemë pa kokrra” që është katandisur (pa vende pune), nuk e përfill njeri.
Kështu ndodh, kur bredh “hu më hu”, por edhe sepse, politologjia akrobatike e kryetarit ish-kryedoganier, nuk parashikoi, që pazaret në majën e politikës e pushtetit, nuk janë si trau i doganës, që ulet e ngrihet në kufi, sa herë duhet të kalojnë maune e mushka, me mallra kontrabandë./Pamfleti