Oponentët e Lulzim Bashës në PD nëpërmjet Edit Harxhit kanë shpalosur sot në media një platformë, si një lëvizje, me qëllim forcimin e Partisë Demokratike dhe kthimin e saj në një parti të denjë konkurruese që tu japë shpresë qytetarëve dhe të bëjë të mundur ndryshimin me votë të pushtetit.
Në një analizë botuar në gazetën “Panorama”, Edit Harxhi, pasi bën analizën e gjendjes së sotme në vend, jep pikat e platformës që pritet të shpalosë një grup të pakënaqurish të mënyrës sesi ecën PD në opozitë.
1-Reformim që nis me hapjen e partisë
2-Paraqitja e një platforme ideologjike kombëtare
3-Rikthimi i Intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë
4-Rikthim i demokracisë së brendshme, rikthim i zgjedhjeve të lira brenda partisë nëpërmjet konkurrimit dhe jo vetëm fjalës së kryetarit
5-Rikthimi i debatit të hapur dhe thithja e mendimit programor nga anëtarësia
“Eshtë momenti për të nisur këtë bashkëbisedim me qytetarët shqiptarë nga veriu në jug, për të rikthyer në vend traditën e odës dhe për të ringritur përfundimisht të djathtën Shqiptare, brenda një Partie Demokratike të riorganizuar dhe që ngjall shpresë e që nuk jep ultimatume duke përdorur mekanizma ekstrapolitikë, marrëveshje okulte, opozitë pa strategji e protesta pa brumë, si e vetmja mundësi për të shpëtuar vendin nga e keqja më e madhe e tridhjetë viteve të fundit dhe këtij tranzicioni të tejzgjatur politik social dhe ekonomik, si dhe për të nisur një epokë të re me një elitë të re politike e një sistem drejtësie krejtësisht të pavarur që të jetë në shërbim të qytetarëve të këtij vendi.
Le të nisim me këtë bashkëbisedim mbarëpopullor dhe pa ngarkesën e politikanëve zullumqarë e individualist, të dëgjojmë dhe jo të flasim, të shikojmë dhe jo të japim opinione e më pas të kalojmë në etapën e re të përgatitjes së një programi për ringritjen kombëtare. Duhet të bashkohemi të gjithë, intelektualë, qytetarë të thjeshtë, gazetarë, arsimtarë, artistë, njerëz që duan kombin, familjen dhe Zotin, në këtë mision të madh për të shpëtuar vendin dhe për t’i thënë ndal shkatërrimit të shtetit para syve tanë nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm”, shkruan Edit Harxhi, duke paraqitur platformën për shpëtimin e të djathtës.