Foltorja” e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha duket se është përçarë dhe është përfshirë nga sherre të forta. Çdo ditë që kalon, po tregon se lufta e brendshme për pushtet brenda llojit e vecanërisht në rradhët e Grupimit të Rrithemelimit, po shfaqet tani më publikisht.
Pasi u largua përfundimisht nga politika e vendit tonë, aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, e njohur si një ndër personat më afër ish-kryeministrit Berisha, ka shpërthyer dje në akuza të forta ndaj Belind Këlliçit, po ashtu i listuar si një ndër emrat më afër liderit të “Foltores”.
Përmes një postim në “Facebook”, Kokalari shkruan se Këlliçi ka lobuar për tu votuar si anëtar i Kryesisë së PD-së, madje shprehet se është e gatshme që të flasë me emra e fakte konkrete nëse manipulojnë vota në votimin e së premtes për nënkryetarët e partisë dhe sekretarin e përgjithshëm.
“Turp të të vijë që orientove votat për Kryesinë e PD!Nuk dua të dëgjoj më që Belind Kelliçi dhe Fatbardha Kadiu kanë qenë më të votuarit në Kryesi. Dhe hipokrizinë e Belindit kur thotë se është i prekur nga kjo dashamirësi në votim, kur e di fare mirë si e arriti, bën mirë ta përdorë për ata që e rrethojnë dhe jo për njerëzit me IQ të konsiderueshme”, deklaron Kokalari.
Kokalari: Këlliçi loboi për miqtë e tij
Evi Kokalari ka akuzuar Belind Këlliçin se ka lobuar tek anëtarët e Këshillit për t’i dhënë votat që i siguruan një vend në Kryesinë e Partisë Demokratike. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Kokalari shkruan se ajo e di shumë mirë sesi dolën më të votuarit Këlliçi e Fatbardha Kadiu.
Sipas saj, nuk është e etike që të lobohet kundër anëtarëve të tjerë të Partisë Demokratike. “Turp ti vi Belindit dhe shokëve të tij të ngushtë që nxorën anëtarë të Këshillit dhe anëtarë të Forumit Rinor të lobojnë për të dhe për Fatbardha Kadiun në 22 Maj.
Nuk është aspak etike që një anëtarë i Këshillit të lobojë për miqtë e tij kundër anëtarëve të tjerë. Ky quhet orientim vote dhe është një lloj manipulimi i vullnetit të lirë. Ky akt duhet të ndëshkohet nga Komisioni i etikës nëse PD do këtë një”, shkruan Kokalari.
Kokalari: Jam gati të flas për manipulimet e së premtes
Kokalari shkruan se ky mund të konsiderohet manipulim i vullnetit të lirë, ndërsa përmes lobimit lanë jashtë kryesisë deputetë që i kanë qëndruar në krah Sali Berishës që nga fillimi. Ajo thotë se është e gatshme që të flasë me emra e me fakte konkrete nëse manipulojnë votat në votimin e së premtes për nënkryetarët e partisë dhe sekretarin e përgjithshëm.
“Turp edhe për ata që nisën një listë lobimi për Kryesi në mëngjesin e 22 Majit, duke lënë jashtë deputet dhe njerëz që vërtet i janë gjendur Sali Berishës pranë që ditën e parë dhe që doktori i kishte dhënë një shans të barabartë për Kryesi, ashtu siç dhe e meritonin. Ju jeni po aq të shantazhueshëm sa ishit me Lulzim Bashën, dhe helbete ju jeni të fundit që ju bashkuat karvanit të Berishës.
Ja, ky është karakteri, integriteti dhe hipokrizia juaj. Jam gati të flas në detaje nëse kandidaturat dhe votat e të Premtes manipulohen/orientohen. Do flas me emra, mbiemra dhe fakte”, shprehet Kokalari.
Evi Kokalari: I qëndroj besnike vetëm Berishës
Aktivistja Evi Kokalari ka sulmuar sërish Belind Këlliçin përmes një statusi në rrjetet sociale, ku thotë se, shoku i tij që ka reaguar ndaj saj nuk duhet të ishte fare në Këshill, dhe se i qëndron besnike Berishës.
“Disa me të drejtë më sulmojnë, si p.sh. ky shoku Belindit që s’duhet të ishte në Këshill. Nëse mendoni se e kam plasur bombën, gaboheni. Besnike i jam vetëm një personi, Sali Berishës, asnjë tjetri. Për të gjithë të tjerët është “Fair Game”, nënvizoi Kokalari. / Shkruar nga Ardit Dedja