Thellohet skandali me institucionet jo-banka në Shqipëri. Përveç kredive me interes jashtëzakonisht të lartë, disa prej këtyre institucioneve mashtrojnë qytetarët. Pak kohë më parë plasi një skandal në Fondin Besa, ku disa punonjës u arrestuan sepse kishin mashtruar qytetarët me kreditë. P
or e njëjta gjë ka ndodhur dhe me një kompani të ngjashme, “Iute Credit”. Skema e mashtrimit në këtë institucion është zbuluar në Fier nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë atje, duke çuar në pranga përgjegjësen kryesore, P. Buzi, ish-punonjëse e kompanisë.
Të dhënat paraprake të publikuara nga prokuroria sqarojnë skemën se si vepronte peroni në fjalë duke mashtruar klientët përmes falsifikimit të dokumenteve. Më saktë, autoritetet sqarojnë se, pasi një qytetar merrte një herë kredi nga “Iute Credit”, punonjësja falsifikonte firmën e klientit dhe më pas e përdorte për kredi të tjera që automatikisht e bënin klientin huamarrës të shumave të tjera, por që në fakt ai nuk ishte fare në dijeni dhe nuk ka përfituar asgjë.
Nga hetimet e bëra rezulton se vetëm nga ky rast ajo ka përfituar mbi 9.3 milionë lekë. “Buzi përdorte të dhënat e qytetarëve që kishin qenë më herët klientë të “Iute Credit” pa dijeninë e tyre, falsifikonte dokumentet sikur ato kanë marrë kredi, por paratë nuk u kanë shkuar atyre, por në xhepat e saj.
Një gjë e tillë është kryer plot 17 herë nga ana e Buzit, prej së cilës ka përfituar plot 9.3 mln lekë. Hetimi nisi pas denoncimeve të mbërritura nga ana e qytetarëve të cilët kanë kallëzuar se në emër të tyre janë përfituar kredi pranë shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A” Dega Fier, për të cilat nuk kanë aplikuar dhe nuk i kanë përfituar personalisht”, tha prokuroria.
Saga e mashtrimeve
Ndërsa, nga të dhënat e prokurorisë rezulton se janë kryer 35 akte ekspertimi duke verifikuar firmat e qytetarëve dhe të punonjëses në fjalë. Prokuroria ka bashkuar në një çështje të gjitha kallëzimet. “Nga ana e Prokurorisë Fier është bërë bashkimi i të gjithë këtyre kallëzimeve penale duke u hetuar në kuadrin e një procedimi të vetëm penal nga Seksioni i Posaçëm pranë kësaj prokurorie.
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Institutin e Policisë Shkencore Tiranë kanë kryer mbi 35 akte ekspertimi grafik shkrimi dhe nënshkrimi lidhur me verifikimin e të gjitha rasteve të kallëzuar”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Prokuroria Fier. Ndërsa, më tej sqarohet se vetëm në Fier, janë bërë mbi 17 herë falsifikim dokumentesh, për të cilat akuzat dhe përgjegjësitë bien mbi P. Buzin.
Për këtë të fundit është dhënë menjëherë masa e arrestit me burg. “Në këto kushte, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka miratuar kërkesën e prokurorit pranë Seksionit të Posaçëm në Prokurorinë Fier për caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale në ngarkim të personit nën hetim P. Buzi e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrimit në kredi” parashikuar nga neni 146 i K.Penal, e kryer 17 herë dhe “Falsifikimit të dokumenteve” të parashikuar nga neni 186/3 i K.Penal”, sqaron prokuroria.