Shpërthen skandali me pagat në administratën shtetërore. Publikimi i databazës po tregon nga dita në ditë se ndryshe nga sa perceptohej, administrata publike është një minierë ari për shumë individë.
Mjafton një kërkim i thjeshtë dhe rezulton se ka këshilltarë që marrin paga më të larta se një deputet.
Ndërkohë që ka drejtorë dhe funksionarë që kanë paga disa herë më të larta se Presidenti i Republikës. Sipas ligjit, individi që ka pagën më të lartë në vend sipas hierarkisë është presidenti, i cili paguhet 2.7 milionë lekë të vjetra. Por në fakt paga e tij është ndër më të ulëtat krahasuar me shumë institucione të tjera. Një ndër institucionet ku leku është sheshit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Gazeta po publikon sot të dhënat mbi milionat që marrin punonjësit në këtë institucion. Një inxhinier aty ka marrë 11 milionë lekë të vjetra në muajin janar, ndërsa një koleg i tij ka marrë afro 10 milionë lekë. Sipas të dhënave, ata janë larguar nga puna dhe nuk dihet nëse ka qenë rrogë apo janë derdhje të detyrimeve.
Ndërkohë ka shumë të tjerë më pas që pagat variojnë rreth 3 milionë lekë të vjetra. Ndër pagat më të ulëta në këtë institucion shkojnë në vlerën e rreth 2 milionë lekëve.